Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gratë nga Omani kërkojnë barazi në martesë, rritet numri i divorceve

QIKA 28.1.2022

Me mundësi më të mira arsimimi dhe punësimi, gratë në Oman tani po sfidojnë traditën dhe po vënë në dyshim martesën më shumë se kurrë më parë duke kërkuar partneritete të barabarta jetësore.

Statistikat zyrtare tregojnë se më shumë se 3,800 divorce janë paraqitur në vitin 2021, një rritje prej 12% krahasuar me një vit më parë. Në një vend ku vlerat tradicionale po ndryshojnë me shpejtësi, statistikat nga Ministria e Çështjeve Fetare tregojnë se 67% e të gjitha divorceve janë iniciuar nga gratë vitin e kaluar.

Për 36-vjeçaren Fatma al-Hammadi, martesa ka vlerë të kufizuar nëse burri kontrollon të gjitha aspektet e jetës bashkëshortore. Ajo u largua nga martesa e saj tetëvjeçare në tetor të vitit të kaluar. “Martesa supozohet të jetë një partneritet i barabartë ku gruaja dhe burri i saj planifikojnë jetën e tyre së bashku. Nuk është martesë nëse burri dikton të gjitha kushtet në jetën tënde dhe të detyron të luash sipas rregullave të tij”, thotë ajo.

Aisha al-Riyami shpjegoi se martesa e saj dyvjeçare ishte “torturë” dhe vendosi të largohej prej saj. “Unë i dhashë fund martesës time muajin e kaluar vetëm dy vjet pasi u martuam. Pse? Sepse më dukej shumë shtrënguese”, tha Aishja.

“Duhet të kërkoja leje nga burri im edhe nëse më duhej të shkoja në dasmën e një shoqeje. Pse duhet ta nënshtroj veten ndaj asaj torture? Unë fitoj shumë më tepër se ai dhe mund të përballoj të jetoj e pavarur dhe nuk kam nevojë për një burrë që të më sigurojë jetesën”, tha 34-vjeçarja, e cila punon si kontabiliste në një kompani nafte dhe gazi.

Gratë në Oman përbëjnë 62% të numrit të përgjithshëm të studentëve të regjistruar në universitete dhe kolegje në vitin akademik 2021-22. Dhjetë vjet më parë, gratë përbënin vetëm 39% të studentëve në institucionet e arsimit të lartë.