Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gratë po ngacmohen seksualisht në minierat australiane

QIKA 7.2.2022

Hetimi i bërë nga kompania e minierave Rio Tinto, ka zbuluar se përdhunimi, ngacmimet seksuale dhe racizmi janë të përhapura brenda fuqisë punëtore në Australinë Perëndimore.

Astacia Stevens, punëtore në këto miniera, kishte shprehur dëshirën për të drejtuar një kamion transporti që sjellë mineralet nga minierat për kompaninë Rio Tinto. Kërkesa e saj për të kaluar direkt në këtë kompani, do të miratohej nëse ajo do të kryente marrëdhënie seksuale me një nga eprorët. Stevens refuzoi një gjë të tillë, duke humbur mundësinë për tu transferuar në kompani dhe më pas u pushua nga puna.

Gratë që punojnë për Rio Tinto, raportuan 21 incidente përdhunimi, tentativë përdhunimi apo sulme seksuale përgjatë pesë viteve të fundit. Megjithatë, kjo kompani nuk është e vetmja sa u përket këtyre incidenteve. Kompania BHP, përgjatë viteve 2019-2021, pati 18 raste të përdhunimit, tentativë për përdhunim ose prekje jo konsensuale të natyrës seksuale.

Kate Jenkins, komisionere për diskriminim seksual, pohoi se një ndryshim urgjent duhet të bëhet në kulturën e industrisë së minierave në mënyrë që të gjithë të ndihen të sigurt në vendin e punës. Sipas të dhënave të hulumtimit zbulohet se nga 56% e grave që janë pjesë e fuqisë punëtore në Rio Tinto pohuan se janë ngacmuar seksualisht, ndërsa 43% e tyre kanë raportuar ngacmimet seksuale. Një sondazh i realizuar nga grupi sindikal Western Mine Workers Alliance, zbuloi se 22% të grave u ishte ofruar avancim në karrierë në këmbim të marrëdhënieve seksuale, ndërsa 22,9% e tyre ishin sulmuar seksualisht në punë, raporton The Guardian.

Arsyeja pse kanë vazhduar ngacmimet seksuale dhe përdhunimet në kompanitë e minierave është për shkak se këto sjellje jo vetëm që janë toleruar dhe normalizuar, por janë mbajtur të fshehta. Tani, kompanitë e minierave janë detyruar të ndërmarrin veprime për reduktimin e sasisë së disponueshme të alkoolit, rritjen e masave të sigurisë, përforcimin e hetimeve të ankesave si dhe trajnime më të shpeshta për menaxherët.