Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gratë që u diskriminuan në bazë të gjinisë fitojnë padinë kundër Goldman

QIKA 19.5.2023

Rreth 2800 gra e kanë paditur Goldman Sachs, nën pretendimin se firma i diskriminonte ato në bazë të gjinisë; i paguante më pak dhe nuk u jepte hapësirë për promovim. Goldman Sachs ka rënë dakord të paguajë 317 milionë dollarë për t’i dhënë fund këtij procesi gjyqësor.

Gjyqi, i planifikuar për muajin e ardhshëm në Nju Jork, do të kishte ofruar një forum të rrallë publik për dëshmi rreth pabarazisë brenda industrisë së financave, ku të gjitha, përveç njërës prej gjashtë bankave më të mëdha amerikane, janë drejtuar vetëm nga burrat.

Të dy palët kishin përfunduar një marrëveshje ndërsa Goldman u përpoq për t’u zgjidhur përpara gjyqit. Një zëdhënës i Goldman nuk pranoi të komentonte dhe një avokat i paditësve nuk iu përgjigj menjëherë mesazheve. Kompania kishte thënë më parë se po priste të mbrohej fuqishëm kundër atyre që i quajti pretendime të pabaza.

Padia kundër Goldman u bë për herë të parë nga Cristina Chen-Oster, një e diplomuar në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts, e cila u bashkua në vitin 1997 dhe shiti bono të konvertueshme. Ajo paraqiti një ankesë për diskriminim në korrik 2005 në Komisionin e Shanseve të Barabarta të Punësimit të SHBA-së. Goldman luftoi – me sukses, në disa raste – për të dërguar disa gra në këtë çështje në arbitrazh, një sistem më të fshehtë.

Por marrëveshjet e detyrueshme të arbitrazhit nuk janë mjetet e vetme në arsenalin e korporatës. Marrëveshjet për mos zbulim janë përdorur prej kohësh në Wall Street dhe më gjerë për të mbajtur jashtë vëmendjes pretendimet për sjellje të keqe dhe trajtim të padrejtë.

Ky artikull është përkthyer nga Idea Peja në kuadër të programit “Bashkohu me QIKA”