Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gratë ukrainase lindin para kohe dhe nuk kanë gji të mjaftueshëm për foshnjat e tyre

QIKA 28.2.2024

Për shkak të stresit të luftës, gratë ukrainase po vazhdojnë të lindin fëmijët para kohe dhe të kenë vështirësi për të prodhuar qumësht gjiri të mjaftueshëm për të ushqyer fëmijët e tyre.

Gratë në zonat e luftës në të gjithë vendin janë detyruar të lindin në bodrume të ftohta, të rrënuara ose stacione metroje të mbushura me njerëz që struken nga granatimet, pa energji elektrike, ujë të rrjedhshëm ose pa mami për t’i ndihmuar gjatë lindjeve.

Rreth 265,000 gra ukrainase ishin shtatzënë kur shpërtheu lufta, sipas Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë, agjencia e shëndetit seksual dhe riprodhues të organizatës.

Lufta paraqet rreziqe të menjëhershme dhe afatgjata për nënat, baballarët dhe të porsalindurit. Midis tyre janë lindjet e parakohshme, të cilat mund të çojnë në një mori komplikimesh menjëherë ose më vonë në jetë.

Mamia e NHS, Wendy Warrington, e cila udhëtoi për të 17-tën herë për në Ukrainë për të ofruar ndihmë mjekësore, teksa shënohet dy vjetori i invadimit të Ukrainës nga Rusia, në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Kievi për Good Morning Britain, shpalosi edhe njëherë se me çfarë po përballen nënat dhe fëmijët ukrainas, raporton The Independent.

“Gratë lindin fëmijët teksa raketat u fluturojnë mbi to. Stresi është thjesht i papërshkrueshëm”, tha Warrington.

Zhvendosja dhe stresi po prekin pothuajse të gjitha gratë shtatzëna të Ukrainës. Mjekët thonë se refugjatet që janë shtatzënë dhe foshnjat e tyre përballen me një rrezik më të lartë sëmundjesh, vdekjeje gjatë lindjes dhe probleme të shëndetit mendor që mund të mbartin pas lindjes. Sipas mjekëve, personat e zhvendosur kanë përqindje më të lartë të lindjeve të parakohshme, peshës së ulët si dhe foshnje që lindin të vdekura.