Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Hulumtimet shëndetësore ende i anashkalojnë gratë                                                                          

QIKA 30.11.2023

Gratë janë dy herë më të rrezikuara se burrat që të vdesin nga sulmi në zemër. Kur një person që nuk ka pirë duhan vdes nga kanceri i mushkërive ka dy herë më shumë gjasa të jetë grua, si dhe gratë preken disa herë më shumë nga Alzheimer dhe sëmundjet autoimune.

Megjithatë, hulumtimet mbi këto probleme shëndetësore dhe gjithë të tjerat, nuk ekzaminojnë gratë veçmas. Këto gjasa ulen edhe më shumë kur ekzaminohen gratë që u përkasin grupeve shoqërore të margjinalizuara si gratë me ngjyrë, ndonëse ato kanë tre herë më shumë gjasa që të vdesin gjatë shtatzënisë sesa gratë e bardha.

Ndonëse kanë kaluar 30 vjet që kur Kongresi Amerikan urdhëroi Institutin Kombëtar të Shëndetit të sigurohej që gratë të përfshiheshin në mënyrë të barabartë në provat klinike, ato ende mbesin të nënpërfaqësuara. Madje edhe minjtë e laboratorit janë kryesisht meshkuj si dhe linjat qelizore të përdorura në fazat e hershme të studimeve mjekësore vijnë kryesisht nga meshkujt, raporton The Guardian.

“Hulumtimet mbi shëndetin e grave nuk janë financuara për dekada dhe shumë sëmundje që prekin kryesisht ose vetëm gratë, kanë marrë pak ose aspak vëmendje,” tha zonja e parë Jill Biden në shpalljen e një nisme të re të Shtëpisë së Bardhë për hulumtime mbi shëndetin e grave më 13 nëntor.

Studiuesit jo vetëm që nuk arrijnë të përfshijnë mjaftueshëm gra në provat klinike, ata shpesh nuk studiojnë dallimet mes mënyrës se si burrat dhe gratë reagojnë ndaj trajtimeve. “Ne kemi ende të njëjtin problem që kishim 30 vjet më parë,” tha Stephanie Faubion, drejtore mjekësore e Shoqatës së Menopauzës në Amerikës së Veriut dhe drejtore e Qendrës Mayo Clinic për Shëndetin e Grave në Jacksonville, Florida. “Ne ende nuk e dimë nëse këto barna funksionojnë njësoj, më mirë apo më keq te gratë sesa te burrat”, shtoi ajo.

Hulumtimet e mira e gjithëpërfshirëse nuk do të mund të parandalonin të gjitha vdekjet, por mungesa e vëmendjes për mënyrën se si gratë reagojnë ndaj barnave, se si profesionistët shëndetësorë i trajtojnë ato dhe sesi sistemi ende u ofron grave kujdes më pak adekuat, po u kushton atyre me jetë, thonë ekspertët dhe avokuesit për të drejtat e grave.