Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Hulumtimet tregojnë se pandemia ka shkaktuar probleme të mëdha financiare tek gratë

QIKA 30.4.2021

Sondazhi i realizuar së fundmi nga Langer Research Associates tregon se një e katërta e grave të anketuara në Amerikë kanë pohuar se gjendja financiare e familjes së tyre është përkeqësuar si pasojë e pandemisë, në krahasim me 18% të burrave. Pandemia ka prekur financiarisht më së shumti gratë dhe njerëzit me ngjyrë.

Sipas të dhënave më shumë se 30% e njerëzve që kanë të ardhura vjetore më pak se $50,000 raportojnë për gjendjen e rënduar financiare krahasuar me periudhën para pandemisë. Kjo gjendje krize ka kapluar edhe 30% të hispanikëve, 27% të banorëve në zonat rurale dhe 24% të atyre që nuk kanë diplomë universitare.

Sipas National Women’s Law Center, organizatë e cila avokon për barazi gjinore, më shumë se dy milion gra kanë lënë punën që nga shkurti i vitit të kaluar, pra janë të papuna dhe nuk po kërkojnë punë, raporton ABC News. Ndërsa, hulumtimi i Zyrës së Regjistrimit dhe Shërbimeve Federale në SHBA konstaton se gjatë pandemisë, gratë e moshës 25-45 vjeç kanë tre herë më shumë gjasa të mos punojnë për shkak të përkujdesjes për fëmijët krahasuar me burrat e të njëjtës grup moshë.

Instituti Brookings, i cili merret me politika publike, raporton se shkalla e pjesëmarrjes së burrave në punë është 2.6% më e ulët sesa para pandemisë, ndërsa niveli i pjesëmarrjes së grave të cilat paguhen 82 cent për çdo dollar që paguhet një burrë, rezulton që është 4% më i ulët sesa para pandemisë.

Në raportet e tij vjetore, Forumi Ekonomik Botëror, i cili mban indeks mbi barazinë gjinore në më shumë se 150 vende të botës, ka vlerësuar se që të arrihet barazi gjinore duhet kohë prej një shekulli, ndërsa gjatë kohës së pandemisë forumi ka shtuar edhe 36 vjet të tjera sipas raportit për vitin 2021.