Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Iniciohet procedurë disiplinore ndaj prokurores që trajtoi rastin e Lirije Qerimajt

QIKA 10.1.2022

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka njoftuar se pas kërkesës së kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, kanë iniciuar procedurën disiplinore ndaj prokurores Stojanka Kasaloviq, lidhur me rastin e viktimës Lirije Qerimaj, nga Llausha e Skenderajt, raporton Kallxo.com.

KALLXO.com ka dërguar kërkesën për inicimin e procedurës disiplinore ndaj prokurores së rastit, Stojanka Kasaloviq.

Kërkesa e KALLXO.com është pranuar dhe iu është bashkangjitur rastit të nisur nga kryeprokurori Ismet Ujkani.

Më 5 janar, 51-vjeçari Skender Qerimaj dyshohet se vrau bashkëshorten e tij Lirije Qerimaj në Llaushë të Skenderajt, pas një mosmarrëveshje të vazhdueshme me të.

Pesë ditë para vrasjes, më 1 janar, 48-vjeçarja Lirije Qerimi kishte raportuar në polici për dhunën fizike që dyshohej se i shkaktonte bashkëshorti i saj Skender Qerimi. Policia kishte njoftuar për këtë rast edhe prokuroren kujdestare e cila është Stojanka Kasaloviq.

Kryeprokurori i Mitrovicës, Ismet Ujkani tha se Kasaloviq ka qenë prokurore kujdestare e cila e ka pranuar rastin.

Pesë ditë para vrasjes, Lirije Qerimaj e kishte denoncuar dhunën fizike nga bashkëshorti i saj Skender Qerimaj në Policinë e Kosovës.

Sipas dosjes së Prokurorisë, për caktimin e masës së paraburgimit, rezulton se viktima Lirije Qerimaj më 1 janar 2022 në Stacionin Policor në Skenderaj kishte ushtruar kallzim penal ndaj Skender Qerimajt për dhunë në familje.

Sipas dosjes së Prokuroisë, në deklaratën që e kishte dhënë viktima më 1 janar 2022,  thuhej se ajo me të pandehurin Qerimaj ishte e martuar nga viti 2001 dhe kishin tre fëmijë.

“Prej se jam martu kam probleme me burrë, dhunë fizike e psikike, shpesh tenton të më largojë nga shtëpia, ku edhe mbrëmë më kishte thënë “dil prej shtëpisë se je ka më tradhëton”, kishte rrëfyer viktima Lirije Qerimaj para zyrtarëve policorë në Stacionin Policor në Skenderaj.

Viktima Lirije Qerimaj në polici kishte thënë se më 31 dhjetor derisa e njëjta kishte shikuar në telefon urimet nga familjarët e saj për rastin e Vitit të Ri, i pandehuri e kishte pyetur se “kush po të shkrun” dhe viktima ishte përgjigjur “kunata” dhe i pandehuri i kishte marrë telefonin duke e akuzuar se po shkruante me persona të tjerë.