Inspektorati i Punës në bazë të raportit zyrtar për ankesën e punëtoreve greviste të Kuvendit të Kosovës ka konstatuar se kompania Schafberger ka shkelur dispozitat ligjore kur ua ka ndërprerë punëtoreve marrëdhënien e punës, nuk u ka hartuar kontrata me afat të pacaktuar ani pse kanë përvojë mbi 10 vjeçare, si dhe për muajin tetor i ka paguar ato nën pagën minimale.
Sipas raportit të publikuar nga kryetari i Federatës Sindikale të Sektorit Privat në Kosovë, Jusuf Azemi, kompania ka tre ditë kohë, që prej ditës kur pranon raportin, për të eliminuar këto shkelje dhe të paraqesë dëshminë e eliminimit të shkeljeve para Inspektoratit Qendror të Punës, përndryshe rrezikon gjobitje.
Raporti është hartuar nga inspektorët Fatmir Halili dhe Florina Dermaku-Mehmeti, të cilët shkruajnë se kanë shqyrtuar dhe analizuar të gjitha dokumentet përkatëse si dhe kanë inspektuar në hapësirat e Kuvendit të Kosovës.
Kryesindikalisti Azemi raportin e ka interpretuar si fitore të kontestit ndaj Parlamentit te Kosovës dhe kompanisë Schafberger. Sipas tij, ky raport kërkon që gratë punëtore të kthehen në vendin e punës brenda 3 ditësh.
Postimin e plotë dhe raportin e Inspektoratit e gjeni këtu.