Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Jeta e grave shtatzëna në Malavi po rrezikohet për shkak të mungesës së ilaçeve

QIKA 30.11.2021

Pothuajse gjysma e spitaleve në Malavi kanë mbyllur sallat e operimit për shkak të mungesës së madhe të anestezionit. Kirurgjia, përfshirë këtu edhe operacionet cezariane janë anuluar dhe njerëzit, përfshirë gratë shtatzëna, duhet të udhëtojnë distanca të gjata për të arritur në klinikën ose spitalin e tyre më të afërt.

Shoqata e Anestezisë në Malavi e quajti situatën emergjente dhe tha se 11 nga 28 qarqet e vendit kishin mbetur pa medikamente. Shoqata kërkoi përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë dhe një takim me Central Medical Stores Trust (CMST), i cili blen dhe furnizon me barna të gjitha spitalet publike.

Joel Moyo, president i shoqatës, tha se siguria e grave shtatzëna të cilat përballen me komplikime gjatë lindjes së tyre është një shqetësim i madh.

“Një nga barnat që nuk është në dispozicion është tiopentoni, të cilin ne e përdorim në kirurgji, veçanërisht për gratë që kanë konvulsione gjatë lindjes dhe gjithashtu ato që kanë presion të lartë të gjakut,” tha Moyo.

“Ky medikament ka qenë në mungesë qe një vit. Kur i pyetëm zyrtarët e CMST-së pse nuk ka qenë në dispozicion ky medikament, përgjigja e tyre ishte se problemi qëndronte tek çështjet logjistike dhe se këtë medikament e kishin improvizuar duke përdorur barna të dorës së dytë, të cilat nuk rekomandohen fare,” shtoi ai. 

Sistemi shëndetësor në Malavi përballet me sfida të mëdha, nga mungesa e pajisjeve deri te mungesa e madhe e stafit të kualifikuar. Kushtet e këqija të punës, duke përfshirë pagat e ulëta, kanë bërë që punonjësit e shëndetësisë të kërkojnë punë më të paguara jashtë vendit ose në organizata joqeveritare.