Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Kalifornia do të ofroj produkte menstruale falas në shkollat dhe universitetet publike

QIKA 11.10.2021

Legjislacioni i ri i nënshkruar të premten siguron që produktet menstruale të ofrohen falas në shkollat publike në Kaliforni duke filluar nga viti i ardhshëm shkollor.

Shkollat publike (klasat e gjashta deri në 12), kolegjet e komunitetit dhe Sistemit të Universiteteve Shtetërore të Kalifornisë (një rrjet prej 23 kampusesh me më shumë se 485,00 studentë) do t’u kërkohet të ofrojnë produkte menstruale falas në tualetet e tyre duke filluar nga viti akademik 2022-23.

Legjislacioni i quajtur Akti i Barazisë Menstruale për të Gjithë, u prezantua nga Cristina Garcia, një anëtare e Asamblesë së Shtetit të Kalifornisë dhe u nënshkrua si ligj nga guvernatori Gavin Newsom.

Garcia tha se ofrimi i produkteve menstruale falas në shkolla do të lehtësojë ankthin e përpjekjes për të gjetur produkte, duke eliminuar një shpërqendrim dhe pengesë të mundshme për edukimin e studentëve që kanë menstruacione.

“Ashtu si letra higjienike që sigurohet në pothuajse çdo banjo publike, kështu duhet të jenë edhe produktet menstruale. Është koha që ne të njohim dhe t’i përgjigjemi biologjisë së gjysmës së popullsisë duke i dhënë përparësi qasjes falas në produktet menstruale dhe duke eliminuar të gjitha barrierat për to”, tha ajo në deklaratë.

Vitin e kaluar Kongresi miratoi Aktin e Kujdesit, i cili i klasifikoi produktet menstruale si shpenzime të kualifikuara mjekësore, që do të thotë se ato mund të blihen përmes kursimeve shëndetësore dhe llogarive fleksibile të shpenzimeve.

Shumë shtete i taksojnë produktet menstruale si jo thelbësore, një praktikë që presidenti Barack Obama e kritikoi në vitin 2016. “Unë dyshoj se kjo ndodh sepse ishin burrat që bënin ligje kur ato taksa u miratuan”, shtoi ai.

Shteti i Michigan është një nga ata që lufton kundër kësaj takse. Një padi për veprim klasor po hyn në sistemin gjyqësor të shtetit, pasi tre gra paditën Departamentin e Thesarit të shtetit vitin e kaluar, duke pretenduar se taksat ishin diskriminuese. Ata gjithashtu kërkuan një rimbursim.