Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Kërkohet përgjegjësi institucionale për grafitin me gjuhë të urrejtjes ndaj personave LGBTIQ+

QIKA 9.8.2023

Para disa ditësh, në kampusin e Universitetit të Prishtinës u bë një mbishkrim i cili bënte thirrje për vrasjen e personave gej. Një gjuhë e tillë është e rrezikshme sepse nxitë homofobinë, transfobinë dhe bifobinë e cila  tashmë është mjaft e shprehur në shoqërinë tonë. Grafiti në të cilin shkruante “K*ll the gays”, shpejt u zëvendësua nga aktivistët me “Kiss the gays”.

Për këtë, kanë reaguar edhe Rrjeti për të Drejtat e Njeriut me një deklaratë në të cilën kërkohet përgjegjësi institucionale dhe hetim mbi rastin. Në deklaratë shprehet se këto akte barbare kanë për qëllim frikësimin, rritjen e pasigurisë dhe traumatizimin e personave LGBTIQ+.

Reagimi i plotë:

“Organizatat anëtare të Rrjetit për të Drejtat e Njeriut (HRN), u bëjnë thirrje institucioneve të drejtësisë që menjëherë të hetojnë rastin e shkrimeve grafite në oborrin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” që bëjnë thirrje për vrasje ndaj personave LGBTIQ+.

Shkrime me përmbajtje të tilla me thirrje për vrasje duhet të hetohen me urgjencë dhe ndaj kryerësve duhet të shqiptohen dënime meritore në bazë të ligjeve në fuqi. Thirrjet për vrasje e gjuha e urrejtjes të përdorura e vizualizuara haptazi në hapësirat e një institucioni publik, ngjallin pasiguri, ndjenjë të frikës, ankthit e (ri) traumatizim te personat LGBTIQ+ dhe në të njëjtën kohë janë kërcënim direkt ndaj këtij komuniteti dhe gjithë shoqërisë.

Thirrjet për vrasje si kjo e fundit tregojnë për një prani të madhe të urrejtjes në shoqërinë tonë, që shpeshherë nxitet edhe nga politikanët e përfaqësuesit/et më të lartë/a të shtetit, e që të tilla thirrje nxisin dhunë dhe urrejtje.

HRN u bën thirrje institucioneve shtetërore që të ngrisin vetëdijen e qytetarëve për personat LGBTIQ+ dhe të drejtat e tyre dhe të ofrojnë sigurinë dhe ndihmën e duhur. Mos trajtimi i duhur i këtyre rasteve normalizon dhunën dhe urrejtjen ndaj personave LGBTIQ+.

Organizatat anëtare të Rrjetit për të Drejtat e Njeriut do të monitorojnë nga afër institucionet e drejtësisë lidhur me veprimet që do të ndërmerren për të hetuar dhe dënuar kryerësin e këtij krimi.”

Rrjeti për të Drejtat e Njeriut (HRN), përbëhet nga organizatat lokale si Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR KS); Shoqata e Paraplegjikëve dhe Paralizës së Fëmijëve të Kosovës HANDIKOS; Qendra për Barazi dhe Liri – CEL Kosova; Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD); Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ); Iniciativa e Re Sociale (NSI); Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve (VORAE).