Aktiviste dhe aktivistë të Kolektivit Marshojmë S’Festojmë përmes një aksioni simbolik, sot kanë lëshuar banerin me mbi shkrimin “Kur shteti s’na mbron, revoltohemi!”. Përmes këtij aksioni të gjithë qytetarët e Kosovës janë ftuar që të marrin pjesë në marshin tradicional të 8 marsit.
Aktivistja Latra Demaçi theksoi se lufta kundër dhunës strukturore dhe të përditshme vazhdon, duke u ushtruar nga patriarkati, kapitalizmi racist dhe pabarazitë globale.
Teksa rikujtoi rastet e fundit të bëra publike ndaj dhunës ndaj grave në Kosovë, duke i cilësuar si pasoja të një sistemi shtypës që prek gratë në çdo aspekt të jetës, Demaçi shtoi “Këto nuk janë raste të izoluara, por pasoja tragjike të patriarkalitetit që mundëson dhunën fizike, emocionale, seksuale e ekonomike që ushtrohet mbi gratë në përditshmëritë tona private dhe publike. Qoftë në shtëpi, punë, shkollë, rrugë apo institucione, kjo është një thirrje të revoltohemi për njëra-tjetrën kundër indiferencës ndaj dhunës”.
Kolektivi Marshojmë S’Festojmë ftoi të gjithë që me 8 mars të bashkohen në marshin e 8 marsit, marshim në ora 12:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”, për të kërkuar dinjitet, siguri dhe drejtësi për të gjitha gratë dhe vajzat.
© Foto: EkonomiaOnline