Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Kolumbia dekriminalizon pjesërisht abortin

QIKA 24.2.2022

Të hënën Kolumbia u bë vendi më i ri në Amerikën Latine që dekriminalizoi pjesërisht abortin, duke shënuar një fitore të madhe për lëvizjet feministe të vendit dhe duke reflektuar një ndryshim më të gjerë në pikëpamjet ndaj abortit në të gjithë rajonin.

Gjykata Kushtetuese e Kolumbisë vendosi në favor të legalizimit të abortit deri në javën e 24 të shtatzënisë. Mbrojtësit e të drejtave të abortit reaguan të hënën me marshime në kryeqytet dhe qytete të tjera të mëdha, pas fushatave mbi dy dekada për të hequr abortin nga kodi penal i vendit.

“E dinim se kjo nuk ishte një luftë e lehtë, por dikur duhej të ndodhte. Sigurisht, ndërsa ne shpresonim për dekriminalizimin e plotë dhe do të vazhdojmë të luftojmë për të, ky është një hap i rëndësishëm përpara”, tha Mariana Ardila, një avokate e Women’s Link Worldwide për CNN.

Aborti në Kolumbi ka qenë i ligjshëm vetëm në tre rrethana: kur jeta ose shëndeti i gruas është në rrezik, nëse fetusi ka keqformime që e bëjnë atë të paqëndrueshëm ose kur shtatzënia është rezultat i përdhunimit ose incestit. Tashmë, gratë që kërkojnë të abortojnë deri në javën e 24-të të shtatzënisë nuk do të ndiqen penalisht. Aborti pas 24 javësh mbetet i paligjshëm, përveç nëse ekziston një nga këto tre rrethana.