Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Kompania Alibaba pushon nga puna një grua që akuzoi kolegun për sulm seksual

QIKA 14.12.2021

Kompania kineze e tregtisë elektronike Alibaba ka pushuar nga puna një grua e cila tha se një
koleg dhe një klient e kishin sulmuar seksualisht. Në letrën e shkarkimit thuhej se ajo kishte
përhapur gënjeshtra që kishin dëmtuar reputacionin e kompanisë. Punonjësja bëri publike
pretendimet e saj në gusht, sepse ajo tha se Alibaba nuk kishte marrë masa.


Ajo tha se sulmet ndodhën gjatë një udhëtimi pune. Kolegu u shkarkua, por një çështje penale
kundër tij u tërhoq. Klienti mendohet se është ende nën hetim policor. Ky rast ka nxjerrë në pah
ngacmimet me të cilat përballen gratë në vendin e punës në Kinë.


Rrëfimi i gruas për incidentin u publikua në një dokument prej njëmbëdhjetë faqesh, në të cilin
ajo tha se kolegu e përdhunoi atë në një dhomë hoteli, kur ajo ishte pa ndjenja pas një ndeje.
Gruaja pretendoi se kolegu, i cili mbante një pozicion më të lartë menaxherial në kompani, e
detyroi atë të udhëtonte në qytetin Jinan për një takim me një klient. Ajo akuzoi eprorët e saj se e
kishin detyruar të pinte alkool me kolegët gjatë darkës. Ajo tha se në mbrëmjen e 27 korrikut
klienti e puthi atë. Më pas ajo kujton se ishte zgjuar të nesërmen në dhomën e saj të hotelit pa
rroba dhe pa kujtime të natës së mëparshme. Gruaja tha se mori pamjet e kamerave të vëzhgimit
që tregonin se kolegu i punës kishte hyrë në dhomën e saj katër herë gjatë mbrëmjes.


Alibaba u përball me reagime të ashpra publike, ku pastaj u pushua kolegu, i identifikuar vetëm
si Z. Wang. Kompania tha se dy drejtues të cilët nuk arritën të vepronin në lidhje me akuzat
gjithashtu dhanë dorëheqje. Edhe pse çështja e Z. Wang nuk po përparon, prokurorët e gjykatës
kanë miratuar arrestimin e klientit që dyshohet se ka sulmuar viktimën. Ai është identifikuar me
mbiemrin e tij Zhang.