Një analizë e publikuar nga ProPublica, ka zbuluar se pas ndalimit të abortit në Teksas ka një rritje të ndjeshme të komplikimeve kërcënuese për jetë te gratë që humbasin shtatzëninë. Sipas të dhënave të analizuara, shkalla e sepsës, një infeksion potencialisht fatal, është rritur me mbi 50% për gratë e shtruara në spital gjatë humbjes së shtatzënisë në tremujorin e dytë.
Rrezikshmëria përveçse tek gratë që nuk duan të mbajnë shtatzëninë, prek ndjeshëm edhe gratë që për shkak të komplikimeve kanë humbur shtatzëninë apo u ka vdekur fetusi. Rritja është më e theksuar tek pacientet, fetusi i të cilave ende kishte rrahje zemre në momentin e mbërritjes në spital, një faktor kyç që ka çuar në vonesa të rrezikshme në trajtim. “Mjekët shpesh ngurrojnë të ndërhyjnë për të zbrazur mitrën nga frika e ndjekjeve ligjore, pasi ligji i Teksasit për abortin parashikon deri në 99 vjet burg për mjekët që kryejnë këtë procedurë”, shkruan ProPublica.
ProPublica ka raportuar më parë për raste tragjike të grave që kanë ndërruar jetë nga sepsa pasi u është mohuar ndërhyrja mjekësore në kohë. Raportimi i ri tregon se numri i grave shtatzëna dhe grave pas lindjes që kanë vdekur në spitalet e Teksasit është rritur ndjeshëm pas ndalimit të abortit.
Ekspertët e shëndetit të grave, përfshirë Dr. Lorie Harper, thonë se kjo analizë konfirmon pasojat e ndalimit të abortit, duke rritur rrezikun e vdekjeve të parandalueshme dhe të vonesave të rrezikshme në trajtim. Edhe pse ligji përmban një përjashtim për “urgjenca mjekësore”, mungesa e një përkufizimi të qartë ka sjellë konfuzion dhe pasiguri në spitale, duke lënë shumë gra pa kujdesin e nevojshëm.
Raporti vjen në një moment kritik, teksa ligjvënësit e Teksasit po shqyrtojnë mundësinë e rishikimit të ndalimit të abortit, pas presionit nga mjekët, gazetarët dhe institucione të ndryshme. Pavarësisht thirrjeve për transparencë, komiteti shtetëror që mbikëqyr vdekshmërinë maternale nuk ka pranuar të shqyrtojë të dhënat për vitet 2022 dhe 2023.
Sipas organizatave kryesore mjekësore, standardet e kujdesit për pacientet që humbasin shtatzëninë në tremujorin e dytë kërkojnë zbrazjen e mitrës për të ulur rrezikun e infeksionit dhe sepsës. Megjithatë, disa spitale në Teksas nuk e lejojnë këtë procedurë derisa të ndalojë rrahja e zemrës së fetusit ose të dokumentohet një ndërlikim kërcënues për jetën.
Sepsa mbetet një nga shkaqet kryesore të vdekjeve në spitale në nivel kombëtar dhe mund të çojë në dështim të organeve, dëmtime të trurit dhe koagulim të rrezikshëm të gjakut. Derisa disa mjekë në Teksas po ofrojnë ende trajtimin e nevojshëm, të tjerë raportojnë se kufizimet ligjore i kanë detyruar të presin, duke vënë në rrezik jetën e pacienteve.
Analizën e plotë e gjeni këtu.