Alb Eng
Për QIKA
Lajme

Kona – këngë protestuese kundër vrasjes së grave

QIKA 7.4.2021

Një realizim që trajton temën e vrasjes së grave nga burrat, e që kohët e fundit është shumë e shpeshtë, është publikuar nga dyshja e grupit “Wonderwaves, Shpat Morina dhe Bajram Kafu Kinolli.

E bazuar në një këngë të vjetër burimore të nusërisë, “Kona” sjellë me anë të tekstit dhe melodisë një qasje krejt tjetër mbi martesën dhe lidhjet e dhunshme.

Përmes kësaj kënge “Wonderwaves”  kanë zgjedhur të kundërshtojnë vrasjet e grave nga burrat e tyre, dukuri që është rritur kohëve të fundit në shoqërinë tonë.

Sipas krijuesve të këngës vrasjet e grave dhe dhuna në familje janë dukuri që ishte dashur të na trishtojnë të gjithëve, por meqë tashmë janë të shpeshta rrezikojnë të normalizohen.

“Përpunimi i kangës ka marrë shumë kohë. E kemi dëgju shumë e shumë herë gjatë përpunimit, edhe gjithmonë na ka emocionu shumë. Si pasojë, e kemi ndi thellë temën për një kohë shumë t’gjatë. I ftojmë krejt qe s’kanë pasë kohë e rast me menu pak për këtë temë,  me u nalë për 5 minuta e me soditë çka hekin familjet e gratë prej burrave zullumqarë edhe n’ditë t’sotit”, deklarojnë Wonderwaves për QIKA.

Më poshtë po ju sjellim edhe tekstin e plotë të këngës:

Ngjitet kona, more pika-pika

Sikur sonte, bajrak nër çika

Sikur sonte, bajrak nër çika

Ngjitet kona, o me pika të kuqe

sonte je te baba, nesër bohesh nuse

sonte je te baba, nesër bohesh nuse

Ulet nona bukë me honger

Ka metë sofra shpraztë, ah moj motër

se ty nuk t’ka moj motër

“Gjithë o kanë e shtypne. Si ka shku te ai burrë kurrë s’o kanë e lirë, kurrë s’o kanë e knaqne. Kurrë, kurrë, kurrë. Gjithë me lot, gjithë e rrehne, gjithë e shane. Gjithë o kanë e gazepit. Gjithë.”

Shtrëngon nona zemrën, me zor duron

Çikën e çoi nuse, e n’vorr e vajton

Zemrën e çoi nuse, e lule n’varr i çon

Ngjitet kona, pika-pika

Ka ardhë koha, me u mledhë çikat

ka ardhë koha, me u mledhë çikat

Ngjitet kona, pika-pika

Ka ardhë koha, me u mledhë çikat

ka ardhë koha, me u mledhë çikat.

QIKA

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion - QIKA është organizatë e themeluar në gusht të vitit 2020, që për qëllim ka mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.