Të hënën e kaluar, Kongresi në ShBA, me shumicë dërrmuese të votave, miratoi një projektligj që synon të luftojë publikimin e fotove dhe videove me përmbajtje seksualisht eksplicite të njerëzve pa pëlqimin e tyre, duke përfshirë edhe publikimin e imazheve nudo me ‘deepfake’ të gjeneruara nga inteligjenca artificiale.
Ky projektligj e bën krim federal publikimin e imazheve intime pa pëlqim dhe obligon platformat online që të fshijnë imazhet e tilla brenda 48 orëve pas raportimit të rastit.
Akti dypartiak “Take It Down”, i cili u miratua unanimisht në Senat në shkurt, tani i shkon presidentit Donald Trump, i cili pritet ta nënshkruajë atë për ta bërë ligj, siç pati premtuar më parë.
Miratimi i këtij projektligji është mirëpritur nga avokuesit për të drejta të njeriut dhe të mbijetuarit/at e abuzimit përmes pamjeve.
Ndryshe nga disa përpjekje të mëparshme për të trajtuar dëmet e shkaktuara në mediat sociale, akti fitoi mbështetjen e disa prej kompanive kryesore të teknologjisë, duke përfshirë Meta, Google dhe Snapchat, çka i ka hapur rrugën miratimit në Kongres.