Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Kosova është vendi i dytë më i keq në Europë për të qenë grua

QIKA 25.10.2023

Kosova është vendi i dytë më i keq në Europë për të jetuar si grua sipas matjeve nga Indeksi i Grave, Paqes dhe Sigurisë 2023 që u prezantua të martën. Sa u përket vendeve europiane, vetëm Ukraina qëndron më keq se sa Kosova.

Indeksi është krijuar nga Instituti i Oslos për Kërkime Paqeje (PRIO) dhe së bashku me Institutin për Gratë të Universitetit Georgetown, PRIO u mbështet në të dhënat që matnin përfshirjen, drejtësinë dhe sigurinë për gratë duke përdorur 13 matës nga shkollimi deri te ligjet e punësimit e tek perceptimi për sigurinë dhe dhunën.

Në ranglistën e 177 vendeve të botës Kosova mban pozitën e 100-të, ndërsa të 40-tin nga 41 shtetet europiane. Pikët e ulëta për Kosovën iu atribuuan shkollimit të dobët dhe nivelit të ulët të punësimit për gratë si dhe “niveleve shumë të larta” të vdekjeve të grave gjatë lindjeve, raporton Euronews.

Nëntë nga dhjetë shtetet më të mira të botës për të qenë grua janë në Evropë. Danimarka i prin listës, pastaj janë Zvicra dhe Suedia, ndërsa Ukraina është e fundit në Evropë, nga 41 shtete, që performoi tejet ulët në sektorin e sigurisë, për shkak të luftës.