Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Kriza e kostos së jetesës po shtynë më shumë gra të bëhen punëtore seksi

QIKA 23.8.2022

Për shkak të krizës ekonomike dhe kostos së lartë të jetesës, disa gra detyrohen të punojnë si punëtore seksi. Me inflacionin në rritje dhe paga të ulëta të cilat dështojnë edhe për të paguar gjërat esenciale, numri i thirrjeve në “Kolektivin Anglez të Prostitutave” është rritur me një të tretën këtë verë.

Zëdhënësja e këtij kolektivi, Niki Adams, e cila ka ndihmuar mijëra gra, tha: “Kriza e kostos së jetesës tani po i shtyn gratë në punë seksi në mënyra të ndryshme – qoftë në rrugë, në ambiente të mbyllura apo në internet.”

Ajo i referohet këtij fenomeni si “seks për mbijetesë”. “Ne e quajmë të tillë sepse është e vetmja zgjedhje që këto gra mund të bëjnë tani për tani për të mbijetuar. Dhe kjo po bëhet për të përmbushur nevojat bazike – për të pasur para të mjaftueshme për ushqim dhe qira,” tha ajo për Sky News.

Një mënyrë tjetër se si gratë kryejnë punë seksi për të paguar faturat e tyre është në internet, përmes shërbimeve abonuese si OnlyFans. Disa e kanë shpallur këtë si një opsion më të sigurt, më fuqizues krahas punës tradicionale. Megjithatë ECP paralajmëron se mund t’i vërë gratë në rrezik përndjekjeje dhe shantazhi.

Ndërsa një zëdhënës nga qeveria Britaneze tha për Sky News se “e pranon se njerëzit po luftojnë me çmimet në rritje dhe se ata po ofrojnë 1200£ në pagesa direkte për familjet me të ardhura të ulëta, si dhe 400£ pagesë për energjinë elektrike për grupet më të cenueshme”.

Ai gjithashtu shtoi: “Ne nuk kemi plane për të ndryshuar ligjin rreth prostitucionit dhe jemi të përkushtuar për të trajtuar dëmin dhe shfrytëzimin që lidhet me punën e seksit”.