Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Lansohet sistemi i hallkave për mbikëqyrje elektronike

QIKA 11.12.2024

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka lansuar sistemin e hallkave për mbikëqyrje elektronike përmes së cilit do të mbikëqyren personat e dënuar ose të dyshuar për ushtrim të dhunës në familje. Hallkat elektronike do t’u vendosen në duar apo këmbë të personave të dënuar apo të dyshuar dhe do të mbikëqyren nga Policia e Kosovës, me qëllim që abuzuesit të mos kenë mundësi tu afrohen viktimave.

Gjatë lansimit sot u tha se në rast se i dyshuari ose abuzuesi, potencialisht recidivist, i afrohen viktimës në një zonë të caktuar menjëherë do të lajmërohen të dy nivelet, ai lokal edhe ai qendror i Policisë.

Lansimi i këtyre hallkave është bërë në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës në bazë gjinore, ku morën pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Përderisa kryeministri Kurti tha se përmes këtij projekti dhuna në familje do të luftohet si asnjëherë më parë, ministri Sveçla tha se ky sistem do të shfrytëzohet edhe në raste të tjera për parandalimin e veprave të ndryshme penale, “por roli primar është do të thotë parandalimi i përsëritjes së dhunës ndaj grave”.

Në anën tjetër, ministrja Haxhiu tha se nga sot në momentin që do të lëshohet një urdhër mbrojtës nga gjykata, tashmë do të funksionojë sistemi për mbikëqyrjen elektronike.

Sistemi elektronik është obligim që derivon nga Ligji për mbikëqyrjen elektronike, i cili ka për qëllim që të rregullojë përdorimin e mbikëqyrjes elektronike në procesin e drejtësisë penale për të ngritur sigurinë publike dhe për të garantuar ekzekutim efektiv të vendimeve të gjykatës.