Alb Eng
Për QIKA
Lajme

Legalizimi i abortit në Argjentinë është një fitore historike

QIKA 16.2.2021

Në fund të vitit të kaluar, pas një debati 12 orësh, Senati i Argjentinës miratoi ligjin për përmirësim të qasjes në aborte të sigurta dhe në kujdesin pas abortit. Njëzet ditë pas miratimit në Kabinetin e Deputetëve, me 38 vota pro, 29 kundër, 1 abstenim, e drejta për abort gjatë javës së 14 të shtatzënisë u rregullua ligjërisht.

Ligji i ri i abortit është rezultat i aktivizmit feminist përgjatë dekadave në Argjentinë. Aborti i sigurt dhe i ligjshëm ka qenë kërkesë e pandërprerë dhe çështje qëndrore në organizimin dhe mobilizimin e lëvizjes feministe. Nga viti 2015 e tutje kjo kërkesë u bë edhe më e fuqishme përmes lëvizjes feministe ‘Ni una Menos’ (Asnjë grua më pak) e cila u përqëndrua në ekspozimin e dhunës gjinore dhe femicidin.

Kjo lëvizje shkaktoi demonstrata masive në të cilat një numër i madh njerëzish dolën për të protestuar për legalizimin e abortit. Më herët shumë gra kanë abortuar ilegalisht duke rrezikuar kështu shëndetin dhe jetën e tyre. Në Argjentinë vlerësohet që kryhen rreth 450,000 aborte çdo vit. Nga të dhënat e fundit zyrtare të botuara nga organizata mediatike feministe “LatFem” raportohet se në vitin 2016 në të gjithë vendin vdiqën 43 gra nga shtatzënitë që përfunduan me abort, duke rritur numrin në 3040 vdekje për periudhën midis viteve 1983 dhe 2016.

Ligji i ri e vendosë Argjentinën në listën e paktë të vendeve të Amerikës Latine dhe Karaibeve ku aborti është i ligjshëm (Kuba, Uruguaji, Guajana). Ndërsa, në vende të tjera si Hondurasi, Nikaragua dhe El Salvadoi, aborti është plotësisht i ndaluar.  

QIKA

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion - QIKA është organizatë e themeluar në gusht të vitit 2020, që për qëllim ka mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.