Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Klubi i padisiplinuar i grave që trasoi rrugën drejt feminizmit modern

QIKA 21.7.2022

Ato ishin një grup i pazakontë dhe krenarisht i padisiplinuar, kryesisht gra të arsimuara në universitet, një gjë e rrallë në atë kohë, në fillim të viteve 1900. Ato takoheshin çdo të shtunë pasdite në një restorant plot me tym, të quajtur Polly’s, për të debatuar për përkufizimin dhe rëndësinë ende të sapolindur të “feminizmit”, si dhe çështje të tjera politike dhe sociale të kohës. Klubi i tyre, drejtësisht i quajtur Heterodoksia për përzierjen divergjente të opinioneve që parashtruan pjesëmarrëset e tij, u formua në vitin 1912. Kaluan vetëm pak vite përpara se streha e tyre e rënduar në Greenwich Village të bëhej një magnet për masat, për shkak të reputacionit të saj si një vatër e dashurisë së lirë, mendimit radikal, e burimit për ndryshime revolucionare.

Disa nga anëtarët e grupit ishin të martuara, të tjera në lidhje të hapura, që asokohe shiheshin si skandaloze, dhe të tjera në bashkime të të njëjtit seks. Shumë prej tyre mohuan rrobat e ngushta dhe flokët e gjata, në vend të kësaj zgjodhën prerje flokësh të shkurtër dhe tunika të gjera me printe batike. Këta ishin shënuesit elegant të vendit ku ato punonin, debatonin, shfaqnin skena politike satirike, mbanin sallone diskutimesh dhe marshonin së bashku për të drejtën e votës dhe të drejtat e punëtorëve, nga platforma e enklavës së tyre boheme.

Kështu tregon historiania dhe autorja Joanna Scutts në “Hotbed: Bohemian Greenwich Village and the Secret Club that Sparked Modern Feminism “, një tregim historik dhe kinetik i hulumtuar thellësisht që paraqet periudhën e frytshme, por edhe të tensionuar të Heterodoksisë, që nga fillimi i saj deri në fillim të viteve 1920. Në prozën kumbuese që thërret idealizmin dhe guximin e vetë ekzistencës së Heterodoksisë si një qendër për motërzim dhe mendim politik të udhëhequr nga gratë, Scutts sjell në jetë historitë e grave që krijuan miqësi midis radhëve të tyre, shumica e të cilave ishin autore, gazetare, sociologe dhe artiste nga klasat e mesme të larta.

Në pjesën e falënderimeve te libri, Scutts thotë se ajo shkroi pjesën më të madhe të “Hotbed” gjatë pandemisë së koronavirusit dhe udhëzimeve të qëndrimit në shtëpi në Nju Jork që filluan dy javë pasi ajo lindi. Në pamundësi për të udhëtuar për të vizituar arkivat, ajo mori burime thelbësore kërkimore në distancë, duke përfshirë materiale dhe fotografi të dixhitalizuara nga Biblioteka Publike e Nju Jorkut, Biblioteka Beinecke e Yale dhe Biblioteka Schlesinger.

Ajo vëren se shumica e anëtareve të Heterodoksisë që atëherë janë zbehur nga historia jonë e shkruar. Ndërsa disa në klub ishin subjekt i biografive, shumë prej atyre librave nuk janë më të qasshëm. Për Scutts, kjo e bëri “Hotbed” një tekst kritik për pasardhësit. “Kjo është një histori për feminizmin … në mishërimin e tij të parë amerikan. Është gjithashtu një histori se si shkruhet historia: çfarë ka rëndësi dhe çfarë jo në historitë që tregojmë; kush harrohet dhe pse”, shkruan ajo në hyrjen e librit.

Ndër anëtaret e Heterodoksisë, ndoshta më e njohura, ishte Charlotte Perkins Gilman, autore e novelës “The Yellow Wallpaper”, lexim standard për studiuesit feministë të sotëm (edhe pse ne luftojmë me trashëgiminë e racizmit të autores). Grace Nail Johnson ishte e vetmja anëtare e zezë e grupit dhe gruaja e James Weldon Johnson, udhëheqës i Shoqatës Kombëtare për Përparimin e Njerëzve me Ngjyrë. Elizabeth Gurley Flynn ishte një aktiviste e sindikatës së klasës punëtore dhe anëtare socialiste e klubit, stili i zjarrtë i oratorisë së të cilës tërhoqi turma. Në përshkrimin se sa integrale ishte qasja e saj e të folurit me të gjithë trupin për të kapur audiencën, Scutts citon Gurley Flynn: “Ne bëmë gjestikulim, ne hapëm platformën, u apeluam emocioneve. … Edhe kur emigrantët e sapoardhur nuk i kuptonin fjalët tona, ata e ndjenë shpirtin tonë.”

Së bashku, Hurley Flynn dhe heteroditët e tjerë bënin kundërshtime për konstruksione shoqërore të përmbysura që e bënin jetën brutale, apo edhe vdekjeprurëse, për gratë, edhe kur ata debatonin mbi prioritetet konkurruese që implikonin racën, klasën dhe axhendat kombëtare kundrejt atyre ndërkombëtare. Scutts na çon nëpër momente të tilla kryesore si paradat e hershme të të drejtës së votës me gra të pasura me fustane të bardhë dhe kapele kashte mbi kalë, spektakle që ajo thotë se ishin “të dizajnuara për t’u parë, fotografuar dhe diskutuar edhe më gjerësisht në media – për t’u bërë virale, në stilin e viteve 1910.” Libri gjithashtu tregon se si anëtarët e Heterodoksisë drejtuan grevat e punëtorëve për të trajtuar kushtet e mjerueshme. Këto përpjekje u zhvilluan pas zjarrit të fabrikës Triangle Shirtwaist, në të cilin u vranë 146 punëtorë – kryesisht italianë dhe hebrenj. “Hotbed” kalon në Luftën e Parë Botërore në 1914, në “Red Scare” që filloi në 1917 si dhe në ratifikimin e Amendamentit të 19-të që u jep grave të drejtën e votës më 1920.

Një nga tiparet më bindëse të “Hotbed” është përshkrimi i tij i palëkundur i Heterodoksisë si një kolektiv i grave të bardha kryesisht të pasura që u sfiduan me mënyrën se si të krijonin solidaritet përtej kufijve racor dhe klasor. Kjo mori formë, për shembull, në ndërveprimet e tyre me gratë emigrante që bënin grevë për kushte më të mira pune. Scutts thekson se “shumë grevistë e kundërshtuan vëmendjen e shtypit që u kushtua këtyre aktivistëve magjepsës të klasës së lartë dhe dyshuan – jo krejtësisht gabimisht – se kauza e tyre rrezikohej të perdorej për të çuar përpara agjendën e të drejtës së votës”. Siç i sugjeroi një protestues, mjaft ashpër, një anëtari të Heterodoksisë: “Mund të vini me ne në bllokadë. Nëse ka një grua me ne, policia nuk do të na rrahë.”

Scutts nuk është ndihet fare në turp kur detajon racizmin brenda mikrokozmosit të grupit. Për shembull, ajo shkruan: “Sufragistët e bardhë rrallë pranonin se rreziqet e marshimit ose të të folurit në publik ishin shumë të ndryshme për një grua afrikano-amerikane të klasës punëtore. … Ata mënjanuan ose përjashtuan gratë e zeza, të cilat megjithatë vazhduan të merrnin pjesë … dhe luftuan që të trajtoheshin në mënyrë të drejtë dhe të njiheshin për kontributet e tyre.”

Ndoshta tiparet më të mprehta të “Hotbed” janë paralelet me peizazhin e sotëm. Duke vënë në dukje efektet e ndryshme të pabarazisë nga më shumë se një shekull më parë, Scutts shkruan në “Hotbed” se “gratë e pasura kishin qenë gjithmonë në gjendje të kontrollonin madhësinë e familjeve të tyre dhe të merrnin në mënyrë diskrete kontraceptivë ose aborte. Ishin gratë e klasës punëtore, shëndeti dhe e ardhmja e të cilave ishin në rrezik. …”

Këto deklarata nuk janë më pak të vërteta sot. Siç thotë Scutts në epilogun e saj, “të drejtat e votës janë nën sulm të vazhdueshëm dhe feministët vazhdojnë të dalin në rrugë për të kërkuar të drejta për të cilat heteroditët gjithashtu po luftonin – si dhe disa të drejta për të cilat ata vetëm mund të kishin ëndërruar. ”

Karen Iris Tucker

E përktheu: Riola Morina

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.washingtonpost.com/outlook/2022/07/08/an-unruly-womens-club-that-pointed-way-modern-feminism/?fbclid=IwAR0PHoTWjNnVgXenH_QJ606vhDarJjura3_LIuIw4F4LSIckHKHMmy9ynfM