Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Liri për Britney Spears dhe për të gjitha gratë saudite poashtu

QIKA 27.7.2021

Nëse ka ndonjë grua që kupton sfidën e Britney-t për të çliruar veten nga sundimi i babait të saj është Samar Badawi, aktivistja për të drejtat e grave saudite.

Një javë pasi Britney Spears tronditi botën duke rrëfyer për kushtet në të cilat ka jetuar ajo për këto 13 vitet e fundit, një gjykatës në Los Angeles ka mohuar kërkesën e saj për të hequr babanë e saj nga kujdestaria. Gjykatat ende nuk i kanë dhënë Britney-t lirinë që kërkon, pavarësisht dëshmisë se nën kujdesin e babait të saj, ajo nuk është lejuar që të martohet apo të marrë vendime mjekësore, profesionale, ligjore ose financiare.

Arsyet ligjore për situatën e Britney-t u shfaqën në vitin 2007 kur jeta e saj ishte jashtë kontrollit për shkak të shëndetit mendor dhe abuzimit me drogën dhe alkoolin. Pasi mbylli veten dhe djemtë e saj në një banjo, ajo u mbajt në psikiatri në mënyrë të pavullnetshme për 72 orë.

Në janar të vitit 2008, menjëherë pas ditëlindjes së 26-të të Britney-t, një gjykatës në Los Angeles lëshoi urdhër urgjence duke i dhënë babait të saj Jamie Spears të drejtën për kujdestar të përkohshëm mbi vajzën e tij. Nëntë muaj më vonë gjykatësi e bëri atë kujdetar të përjetshëm.

“Babai im dhe kushdo që është i përfshirë në këtë kujdestari, përfshirë këtu menaxhmentin tim duhet të futet në burg”, tha Britney në sallën e gjyqit, të mërkurën më 23 qershor, ndërsa përshkruante se si babai i saj nuk po e lejonte që ajo të hiqte nga trupi i saj pajisjen IUD që shërben për kontrollin e lindjes.

Nëse ka ndonjë grua që kupton sfidën e Britney-t për të çliruar veten nga sundimi i babait të saj është Samar Badawi, aktivistja për të drejtat e grave saudite.

Samar Badawi është avokuesja kryesore për gratë në Arabinë Saudite për të fituar të drejtat e tyre themelore dhe për të shfuqizuar sistemin e kujdestarisë së burrave në vend (një kujdetar që kufizon të drejtat e të gjitha grave). Në 2008, pasi Samar i shpëtoi abuzimit të babait të saj duke ikur në një strehimore të grave, babai i saj e akuzoi atë se nuk iu kishte bindur sipas sistemit të kujdestarisë së burrave. Pasi Samar humbi disa seanca gjyqësore u lëshua një urdhër për arrestimin e saj.

Njëlloj si Britney, Samar u bëri thirrje gjykatave që babai i saj të mos ishte më kujdestari i saj. Meqenëse babai i saj kishte refuzuar ta lejonte atë të martohej me të dashurin e saj, ajo e akuzoi babanë e saj për shkelje të ligjit islam që me forcë po e mbante atë beqare. Por, kur ajo u paraqit në seancën gjyqësore në korrik 2010, ajo u mor në paraburgim për shkak të urdhrit kundër saj.

Aktivistët dhe organizatat për të drejtat e njeriut bënë fushatë në të gjithë botën për Samar dhe në më 25 tetor 2010, guvernatori Khalid bin Faisal dha urdhër për lirimin e saj. Xhaxhai nga ana e babait të saj u emërua kujdestari i saj i ri.

Megjithatë, Samar vazhdoi të luftonte për të drejtat e grave dhe në korrik 2018 ajo u arrestua si pjesë e qeverisjes së Mohammed bin Salman i cili kundërshtonte fushatën e suksesshme që gratë saudite të kishin të drejtën e ngasjes së makinës. Samar qëndroi në burg derisa u lirua përfundimisht më 27 korrik 2021.  

Përderisa në rastin e Britney-t babai i saj po kontrollon jetën e saj, sundimtari Princi i Kurorës Mohammed bin Salman në Arabinë Saudite është de facto kujdetar për të gjitha gratë saudite.

Njëlloj siç babai i Britney-t është përpjekur ta portretizojë veten e tij thjesht si një baba i dashur, i përkushtuar dhe besnik që shpëtoi vajzën e tij, në të njëjtën mënyrë edhe Arabia Saudite ka qenë e përfshirë në një fushatë të marrëdhënieve me publikun duke pohuar se janë komb modern dhe janë pro të drejtave të grave. Kështu, më 1 gusht 2019, Arabia Saudite njoftoi se do të shfuqizonte një pjesë të sistemit të saj mbi kujdestarinë e burrave. Sidoqoftë, në Arabinë Saudite gratë ende:

1.Kanë nevojë për një kujdestar burrë;

2.Kanë nevojë për lejen e kujdestarit të tyre për tu martuar;

3.Duhet të paraqesin arsyetimet të një gjykatës burrë në mënyrë që të divorcohen (ndërsa burrat lejohen të divorcohen pa pasur nevojë të japin arsyetime në seanca gjyqësore);

4.Mund të akuzohet në gjykatë për mosbindje ndaj kujdestarit burrë;

5.Mund të burgoset në ambientet e paraburgimit për mosbindje. Ato duhet të marrin lejen e kujdestarit apo burrit të tyre për tu liruar;

6.Përballen me diskriminim të madh sa i përket kujdestarisë së fëmijëve dhe ligjeve për nënat e pamartuara. Në rastet gjyqësore dëshmia e një gruaje vlen vetëm sa gjysma e dëshmisë së një burri. Gratë mund të humbin të drejtën e kujdestarisë për shkak të veshjeve jo-modeste, nëse punojnë me orar të plotë ose nëse martohen përsëri;

7.Përballen me abuzim dhe dhunë, ndërsa burrat që abuzojnë dhe vrasin gratë përballen me pak ose aspak pasoja ligjore.

Rasti i Britney-t nuk ka mbaruar akoma dhe vendimet e reja gjyqësore priten në javët dhe muajt e ardhshëm. Avokatët e saj thonë se tani më shumë se kurrë ka nevojë që të vazhdohet fushata për lirinë e Britney-t. “Kjo është shumë më e rëndësishme sesa veç liria e Britney-t”, tha Junior Olivas, aktivisti i lëvizjes #FreeBritney për Time Magazine, duke iu referuar faktit se ka rreth 1.5 milion persona të moshës madhore në SHBA, kryesisht të moshuar dhe persona me aftësi të kufizuara të cilët janë nën kujdestari. Një vështrim mbi kufizimet e Arabisë Saudite ndaj grave tregon se çështja e Britney-t poashtu duhet të shihet përmes një lente ndërkombëtare. Derisa punojmë për të liruar Britney-n, ne duhet të punojmë për të liruar Samar Badawi dhe të gjitha gratë saudite.

Ariel Gold, Medea Benjamin

E përktheu: Greta Avdyli

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.commondreams.org/views/2021/07/02/freebritney-and-all-saudi-women-too