Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Më vjen keq që shoqëria ende u thotë grave se duhet të mbrohen nga burrat e dhunshëm

QIKA 15.10.2021

Nuk dua të më tregojnë se si në klube më duhet ta ruaj pijen time tërë kohën ose se si duhet të sigurohem që dera e hyrjes duhet të jetë e mbyllur.  Nuk dua të jetoj në një botë ku gratë si Miya Marcano jetojnë në frikë.

Ja ku jemi përsëri. Çdo herë kur një burrë vranë një grua, diskutimi publik rikthehet tek çështja se si gratë duhet ta mbrojnë veten nga burrat.

Komisioneri i policisë britanike tha se Sarah Everard, gruaja angleze e vrarë nga oficeri i policisë në muajin mars, “kurrë nuk duhej t’i ishte nënshtruar” arrestimit të rremë i cili e çoi në përdhunimin dhe vrasjen e saj. Ai gjithashtu shtoi se “gratë, para se gjithash, duhet të jenë më të mprehta kur janë rrugëve edhe kur arrestohen edhe kur nuk arrestohen”. Vrasësi i Sara Everard, Wayne Couzens kishte bërë arrest të rremë ndaj Sara-s,  gjoja se ajo kishte shkelur rregullat për Covid-19 në Londër.

Ndërsa në Florida, policia gjeti trupin e një gruaje të zhdukur. Ajo ishte Miya Marcano, të cilën Armando Manuel Caballero e ngacmonte çdo ditë. Ai ishte një punonjës i mirëmbajtjes në ndërtesën e saj, ku faktet tregonin se ajo e kishte refuzuar atë shumë herë para se të zhdukej. Policia është shumë e sigurt që Caballero, i cili vrau veten para se të arrestohej, ishte përgjegjës për vdekjen e Marcano-s.

Përderisa lajmi për zhdukjen dhe vdekjen e Marcano-s u përhap me shpejtësi, lajmet e tjera në rrjetet sociale tregonin se si gratë e tjera mund të parandalonin që një gjë e tillë të mos u ndodhë atyre. Unë e kuptoj faktin që në një shoqëri që nuk të ofron siguri, instinkti për të krijuar vetëmbrojtje është i mirëqenë, por fokusimi në veprimet e grave më shumë se sa tek dhunuesi, relativizon çështjen dhe përjetëson idenë që gratë në një farë mënyre me sjelljet e tyre mund të kenë ndikim mbi veprimet e burrave të dhunshëm.

Gjithashtu mënyra se si dhuna në bazë gjinore adresohet është plotësisht e padobishme. Statistikat tregojnë se një në çdo gjashtë gra ka qenë viktimë e përdhunimit ose tentim-përdhunimit në jetën e saj dhe në anën tjetër, gratë e varfra, trans dhe të dalluara mbi racën janë prekur në mënyrë disproporcionale nga kjo. Pothuajse 85% e grave indiane amerikane dhe amtare të Alaskës kanë përjetuar një formë të dhunës seksuale, përndjekjes ose agresionit nga një partner intim gjatë jetës së tyre. Në vitin 2015, gratë zezake kishin dy herë e gjysmë më shumë gjasa të vriteshin nga burrat sesa gratë e bardha.

Është cikël shumë zhgënjyes por i parashikueshëm, sepse çdo gruaje i mësohet se ka shumë pak mënyra për të ndaluar një burrë që t’i sulmojë nëse veç se ai ka vendosur ta bëj këtë, sepse jetojmë në një botë që bën gjithçka që të heqë përgjegjësinë nga burrat. Shoqëria i infantilizon burrat, duke i trajtuar që në moshë të re si viktima të nxitjeve të tyre të pakontrolluara, ndërsa në anën tjetër u thonë vazhdimisht grave të jenë më të mprehta, në mënyrë që të mos bëhen viktima.

E vërteta është se ndërhyrja parandaluese duhet të fillojë me burrat dhe djemtë dhe është mënyra e vetme për ta parandaluar dhunën nga burrat. Sistemi i drejtësisë penale dështon aq shpesh gratë sa që nuk konsiderohet si parandalues i dhunës dhe për këtë arsye shumë gra hezitojnë të raportojnë faktin se janë viktima të nga burrave. Sinqerisht, momenti që policia shfaqet për të arrestuar një njeri që veç se e ka bërë dëmin, është shumë vonë.

Një element tjetër shqetësues për këto raste janë mënyrat se si mediat dhe shoqëria priren t’i shtrembërojnë historitë, si rasti për vrasjen e Marcanos-s, në të cilin publikimet e shumta i referoheshin Caballero-s si “i refuzuar” dhe e quanin ngacmimin e tij ndaj Miya Marcano-s si “aventurë romantike”. Nuk ka asgjë romantike të ndiqesh nga dikush që ka çelësin e banesës tënde dhe që nuk ka asnjë respekt për kufijtë e tu. Gratë e kanë potencuar këtë pa pushim, por në një farë mënyre shoqëria është më e prirë të empatizojë me një burrë që përpiqet të “marrë vajzën” sesa të emërojë si diçka që në të vërtetë është – përndjekje dhe ngacmim.

Nuk dua t’i mësoj trikët se si ta mbroj pijen time në klube, ose si të përdor një thikë të maskuar në buzëkuqin tim, ose të blejë gjëra të çuditshme për ta siguruar derën e dhomës sime.  Dua të jetoj në një botë ku gratë nuk duhet të jetojnë në frikë të vazhdueshme për sigurinë e tyre dhe ku unë mund ta refuzoj lirshëm një burrë dhe të mos vritem për veprimet e mia.

Tayo Bero

E përktheu: Medinë Dauti

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.theguardian.com/commentisfree/2021/oct/06/society-telling-women-must-protect-ourselves-violent-men?fbclid=IwAR3Xjdk9nK8utbeTRSkALM-t1w4nsO1JPF0ntJ5iiOXoTlSF-2wvo3tV2QE