Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Për gratë vrapimi është ende një akt sfidues

QIKA 19.1.2022

Vrapueset gra kanë luftuar prej kohësh për njohjen dhe statusin e njëjtë si të burrave. Rachel Hewitt pyet pse vrapimi nuk u ofron grave lirinë e duhur.  

Rreth orës pesë të pasdites më 28 tetor 2018, ditën kur u ndërrua ora në Britani, mbatha këpucët e mia të vrapimit dhe dola nga shtëpia. Rruga që bëj zakonisht është rreth shtatë milje (11km). Fillon në qytetin me mure mesjetare të York-ut, duke vazhduar në shtigjet e përshtatshme për çiklistë, më pas në shtigje më të mëdha dhe përmes një pylli të vogël në fshatin afër Bishopthrope, për tu kthyer më pas përmes disa rrugicave periferike, nëpër një rrugë garash dhe një shteg të shtruar buzë lumit. Është i sheshtë dhe i patrazuar nga makinat, dhe e bëj këtë vrapim një apo dy herë në javë i cili zgjatë një orë e një, dy apo tre minuta ndonjëherë. Për sa kohë që nuk është radha ime për të vënë fëmijët në gjumë dhe mund të ndërroj rrobat momentin kur përfundoj punën, mund të dal për vrap dhe të kthehem në shtëpi para perëndimit të diellit. Por në ditën që u ndërrua ora, unë llogarita kohën gabimisht dhe në orën pesë pasdite ishte errësuar tashmë. Kjo nuk ka rëndësi. Ngrita supet për të veshur një jelek, vendosa shirita krahësh dhe kyçesh, vendosa llambën e dritës në kokë dhe dola nga shtëpia.  

Unë kam vrapuar për më shumë se një dekadë, që kur i kisha 25 vjeçare. Kur fillova për herë të parë më solli kënaqësi. Vrapova vetëm për disa javë me hove të shkurtra apo në makinë të vrapimit (treadmill), kur më në fund vendosa të vrapoja tetë milje përgjatë rrugës nga një vilë pushimesh në Yorkshire Dales deri në qytetin më të afërt. Mbatha një palë patike të vjetra dhe arrita në Pateley Bridge me tedonit akut të thembrës.  

Por unë vazhdova të vrapoja. Kjo ushqeu prirjen time për të ndërlidhur vlerën me sasinë. I vlerësoja gjërat që mund të numëroheshin dhe ato të cilave u matej progresi. Më pëlqenin të dhënat: distancat, arritjet personale, kaloritë e djegura. Por mësova se vrapimi ishte fizikisht i pakëndshëm. Më dhimbnin kofsha dhe gjuri. Pija ibuprofen për të kaluar një gjysmë maratonë, derisa nuk mund të vrapoja nga dhimbja dhe më duhej të ndaloja. Vrapoja sepse e ndjeja se duhet të bëhesha vrapuese. Për shkak që kisha dhimbje dhe nuk isha kurrë aq e shpejtë sa doja, vrapimet e mia u mbushën me një ndjenjë dështimi.  

Vetëm pasi bëra fëmijë në mesin e të tridhjetave vrapimi u shndërrua në diçka tjetër. Papritur, duheshin shtatë muaj pushim i detyruar gjatë shtatzënisë dhe fizioterapi për dhimbje dhe për shkak të keq vendosjes së legenit. Të vrapoja përsëri më dukej si diçka e re. Ndërrova rrugën ku vrapoja më parë, për të vrapuar në shtigje më të përshtatshme në mënyrë që të mbroja legenin tim. Në fillim, fillova të vrapoja rreth perimetrit me baltë të parkut lokal të Londrës, pastaj në pyllin Epping. Kur u shpërngulëm në York, zbulova North York Moors dhe kënaqësitë që të jepnin distancat e gjata nëpër fushat e lulëzuara të purpurta, nëpër tokat pyjore antike dhe përgjatë shkëmbinjve që zbresin deri në plazhet ku kishte kajsi. Vrapimi më jepte liri. Të kalosh një ditë në kodra ishte e rrallë, kohë e çmueshme për trupin dhe mendjen time, ku unë mund të isha vetëm, pa fëmijë që më kërkonin ëmbëlsira apo tu pastroja jashtëqitjen.  

Zbulova se vrapimi lart e poshtë kodrave, kapërcimi i rrënjëve të pemëve përgjatë shtigjeve pyjore, të sjellë kënaqësi fizike të mirëfilltë e të papërshkrueshme; ajër i pastër në mushkëri. Një rrebesh i papritur mbi lëkurën e kripur. Një birrë e ftohtë në një pub buzë liqenit pas një vrapimi në verë dhe një filxhan çaj me bukë të thekur në një kafene të fshatit në dimër. Çlirimi i mrekullueshëm nga tërheqja e gravitetit në majë të një kodre, e shoqëruar nga lojëra fëmijësh në anën tjetër.  

Më 28 tetor milja e parë që bëra ishte përgjatë shtigjeve të biçikletave të cilat dukeshin të verdha nën shkëlqimin e dritave në rrugë. Ishte temperaturë perfekte, mjaftueshëm e freskët sa të depërtonte nëpër plogështinë që më kishte shkaktuar një ditë në zyrë me ndriçim fluoreshent.  Vrapimi më ktheu përsëri në trupin tim, sikur të kisha një shpirt të lëngshëm që stoikët grekë e quanin pneuma, dhe kjo po më kthehej përsëri duke u futur thellë në lëkurën time dhe duke më mbushur me jetë. Më bëri të ndihem mrekullueshëm.  

Pas miljes së parë, ndërrova rrugën në një pistë që dilte në fushat e zbrazëta. Çdo hap para u kthye në ngjyrë argjendi për shkak të dritës së lidhur në kokën time, por rreth e rrotull ishte qymyr i pa vargëzuar. Po më përzihej barku dhe rrahjet e zemrës më shtoheshin. Fillova të shpejtojë hapat, duke kaluar pengesat e trungjeve me një shpejtësi tjetër. “A jam idiote?”, pyeta veten, “që kam dalë këtu, në errësirë, vetëm?”. 

Kur vrapoj, provoj të meditoj për gjëra të thjeshta (si p.sh. të merrem me ngjyrat për dhomën që po dekoroj) ose punoj me enigma matematikore (si p.sh., koha që do të më duhet të përfundoj një garë të ardhshme). Ndonjëherë këto mendime shndërrohen në çudira të frikshme, të tilla si a do të mbërrijë në shtëpi e sigurt. E di që gratë janë shumë më të prekshme nga sulmet në shtëpinë e tyre sesa në rrugica të errëta apo në parqe. E di që deri tani shumica e përdhunimeve, sulmeve dhe vrasjeve të grave kryhen nga burra që i njohin ato. E di që jo të gjithë burrat janë të dhunshëm, por gjithashtu di se në vitet 2017-2018 në Britani 93% e rasteve që u proceduan për dhunë ndaj vajzave dhe grave ishin nga burrat. E di që ka pasur gra të sulmuara apo të vrara gjersa po vraponin, ndër to janë Karina Vetrano, Mollie Tibbetts, Wendy Martinez, që të gjitha nga viti 2016. Gratë mund të jenë më të rrezikuara në shtëpi, por nuk janë domosdoshmërisht më të sigurta jashtë saj.  

Frika ime nuk është e gjitha në kokën time. Jam ndjekur dy herë nga burra gjersa vrapoja. Njëri vraponte pranë meje me një cigare të ndezur për gati një milje, i cili më pas u largua kur unë shpejtova. I dyti ishte më i keq, dhe mu desh të hyja afër shtëpisë së një të panjohuri dhe të bëja sikur trokisja në derë. Kam qenë e rrethuar nga burra në motoçikleta që thërrisnin “Cunt! Cunt! Cunt!”(fjalë ofenduese në gjuhën angleze që i referohet organeve gjenitale femërore)  Më është hedhur tymi i cigares qëllimisht në fytyrë, më kanë pështyrë, i kanë rënë borisë duke thënë “Dukesh si pedofile në ato tuta!”, “A nuk mund të vraposh më shpejt se aq?”, “Na jep një buzëqeshje e dashur!” 

Nuk jam vetëm. Kohë më parë shkrova në Twitter “Vrapuese gra, a do të vraponit vetëm në errësirë?”. Pati vërshim historish: një grua vrapon natën vetëm nëse fqinjët e saj janë në shtëpi për të parë kur kthehet ajo. Gratë që ndaluan së vrapuari në errësirë pasi që ishin ndjekur ose inkurajuar që të hipnin në makinën e një të panjohuri, ndaluan së vrapuari vetëm për shkak që u përballën me kërcënime të ngjashme dhe më pas ndaluan së vrapuari tërësisht. Gratë që vrapojnë vetëm dalin veç nëse kanë një qen apo alarm përdhunimi me vete, ndërsa në Amerika nëse kanë një topuz apo armë të cilën e mbajnë nën rrobat sportive. Të papriturat emocionale të vrapimit të japin një ndjenjë të thellë lirie së bashku me momente të gëzimit euforik. Por i gjithë ky gëzim më ndalon si pasojë e frikës që gjersa vrapoj vetëm një burrë do të më rrëmbejë, përdhunojë, sulmojë ose vrasë.  

Kështu, përderisa shtegu i errët vazhdonte në rrugën e një fshati aty pranë dhe më çonte në sheshet me dritë nga pubet dhe dyqanet e peshkut, psherëtiva e lehtësuar. Por shpejt u gjenda përsëri në errësirë, duke vrapuar nëpër një rrugicë me shteg të pandriçuar që rrethohej me fusha të thella. Në largësi, shihej një dritë e vogël e cila po afrohej: një çiklist. “Faleminderit zotit, është polic” mendova. Por pastaj dyshova “Ndoshta është përdhunues?” Isha në panik, por u përpoqa të arsyetoja frikën time. Ndoshta nga largësia nuk dallohem që jam grua? Por gjithsesi unë nuk jam e gjatë dhe lartësia e dritës së vendosur në kokë e bën të qartë këtë. Ndoshta mund ta tejkaloja? Por nuk mund të tejkaloja një biçikletë.  

Gjersa kaluam afër njëri-tjetrit, unë shikoja poshtë, nuk doja të bëja kontakt me sy. Frika ime ishte shumë e madhe, por jo e pabazuar. Si e kalibron frikën në një rrezik të vogël, por megjithatë ekzistues? Cili është niveli i duhur i frikës për të kuptuar se ndoshta nuk do të sulmoheni? Si të frikësohesh më pak?  

Liria që të jep vrapimi është e komplikuar për shumë gra. Shpesh fitohet me vështirësi, me hapësirë të kufizuar, ndoshta e kufizuar brenda një jave që dominohet nga ndërrimi i dytë i kujdesit për fëmijët apo punët e shtëpisë, apo nga ndjenja e fajësisë që po i braktisë ato punë. Liria të dalësh e pa ngarkuar nga shtëpia , vetëm me një çelës të shtëpisë në xhep është veçanërisht domethënëse për gratë që janë mësuar me peshën e çantave me gjësende. Dhe siç e kisha zbuluar kur isha e re, vrapimi mund të jetë aleat i forcave psikologjike dhe sociale që na frenojnë dhe kontrollojnë, të tilla si anoreksia, ortoreksia, ocd, dhe kështu vrapimi ka potencialin për të na çliruar nga ato.  

Përgjatë atij vrapimi, fillova të mendoja për orarin e burrave gjatë natës. Po të mos kisha këtë frikë, çfarë do të bëja natën? Asgjë dramatike: thjesht jeta ime do të shpalosej në 24 orët e plota të ditës dhe natës. Do të vrapoja e vetme në një pyll pasi të errësohej, pa pasur ankth. Pas një mbrëmje që kisha dalë, do të bija drejt në shtrat pa pasur nevojën të di se të gjitha shoqet me të cilat kam dalë kanë mbërritur në shtëpi të sigurta. Nuk do të kontrolloja dy apo tre herë dritaret dhe dyert, siç kam bërë çdo natë që kur kisha 20 vjeç pasi u zgjova dhe pashë një burrë të shtrirë në shtratin tim, sepse kishte hyrë nga dritarja e hapur. Nuk do të kisha nevojë të kujtoja ngjarjet e fqinjës së fëmijërisë e cila u përdhunua në një natë të nxehtë vere nga një burrë që u ngjit në ballkonin e saj. Nuk do të kisha nevojë të ecja me një armë të improvizuar çelësash të futur midis gishtërinjve të mi, siç kam bërë që nga mosha 14 vjeçare, pasi që vajzat pas shkollës mësonin si të mbroheshin nga përdhunimi, sikur përdhunimi të ishte një forcë e pashmangshme natyrore, dhe jo si rezultat i vendimeve të burrave. (Djemtë nuk iu nënshtruan seancave paralajmëruese që i këshillonin ata për të mos përdhunuar gratë.) 

Në biseda të ngjashme në Twitter kohët e fundit gratë kanë diskutuar se çfarë do të bënin nëse burrat do të zhdukeshin për 24 orë. Mijëra gra morën pjesë në këtë diskutim. Njëlloj si unë, shumë të tjera imagjinonin të përdornin kufje apo të mbathnin taka natën, të linin dritaret hapur, të shkonin vetëm në shtëpi pas një koncerti, të hiqnin sytjenat, të rezervonin apartamente më të lira në lokacione më të këqija. Por në të shumtën e rasteve ëndrrat e grave ishin variacione të të qenit në gjendje “të ecnin vetëm natën, kudo që dëshironin duke mos pasur frikë” ose “të dilnin për vrap natën vonë”. Imagjinata e tyre është e çuditshme në banalitetin e tyre.  

Pas 12 minutash të tjera vrapimi, shtegu ku unë ndodhesha iu bashkua një rruge dhe më pas një shtëpie dhe tani isha e sigurtë! Ndalova orën time: ritmi mesatar ishte 15 sekonda për kilometër, më shpejt se zakonisht. Hapa derën kryesore. Rrahjet e zemrës u ngadalësuan dhe u ula në shkallë. Mendova se ndoshta nuk do të vrapoj më jashtë shtigjeve rrugore natën e vetme. Vrapimi ose më saktë të mos vraposh është bërë një tjetër përshtatje që gratë e bëjnë gjatë gjithë vitit në mënyrë që ti shmangen faktit të të qenit viktimë e sulmit, përshtatje të cilat bëhen më urgjente në dimër kur jeta jonë kufizohet për shkak të ditëve më të shkurta. Shikoni si po flas për këtë, sikur ajo që është gabim këtu është ndërrimi i stinëve, apo animi i boshtit të Tokës, ose vendimi në 1916 për të ndërruar orën në vjeshtë për të rritur produktivitetin në mëngjes, çdo gjë përveç faktit që disa burra qëllimisht frikësojnë, sulmojnë dhe vrasin gra, dhe kjo është një ndër rezultatet e vogla por jo të parëndësishme është fakti që shumë gra nuk dalin të vrapojnë vetëm në errësirë.  

Burrat janë përpjekur të kontrollojnë vrapimin e grave prej kohësh. Në shekullin XVIII, mijëra spektatorë vëzhguan gratë që vraponin në “smock-races” (çmimi ishte zakonisht një smock) në panairet e fshatit. Në shekullin XIX burrat vinin bast për gratë që ecnin me shpejtësi duke përshkuar pista nëpër kopshte pubesh. Disa gra vrapuese, të tilla si Atalanta në mitologjinë greke e cila vrau pretendentët burra që ajo tejkaloi, refuzuan gjurmët e feminitetit. Ato sfiduan gjithçka që i mbante ato të nënshtruara seksualisht, të varura fizikisht dhe servile në shtëpi. Nuk është çudi që burrat u përpoqën t’i kontrollonin dhe kufizonin ato.  

Disa burra përpiqeshin të sabotonin bëmat e grave sportiste. Në një pub në Bradford në 1864, Emma Sharp e cila po përpiqej të kalonte 1000 milje në 1000 orë, u mbrojt me pistoletë kundër burrave që përpiqeshin të fitonin bastet e tyre duke hedhur pëlhura të lagura me kloroform në fytyrën e saj. Në 1874 një fermer i Wolverhampton i quajtur James Alcock u dënua për sulm ndaj Rebecca Richards, e cila ishte konkurrente në vrapim.  

Kritika pati edhe nga pjesë të tjera por qëllimi ishte i njëjtë: të ndalonin gratë në shtigjet e tyre. Gazetarët e përqeshën garën e grave si “të panatyrshme” dhe “të rrezikshme”. Kjo pasqyroi rritjen e pretendimeve mjekësore pseudo-shkencore në lidhje me dobësinë fiziologjike dhe psikologjike të grave. Në vitin 1827, një mjek paralajmëroi se “sforcimi” i dhunshëm tek gratë që kishin kaluar pubertetin kërcënonte shëndetin e tyre riprodhues “duke lodhur fuqitë e trupit”. Në vitin 1928 gazetat raportuan rënien e dukshme të grave atlete në vijën e finishit të 800 metrave në Lojërat Olimpike të Amsterdamit. Një gazetar arriti në përfundimin se “gratë nuk janë ndërtuar fizikisht për t’iu nënshtruar tendosjes së garave. Natyra i krijoi ato për të bërë fëmijë”, sikur lindja të ishte një shëtitje në park. Gratë më pas u ndaluan të merrnin pjesë në gara më të gjata se 100 metra, afërsisht gjatësia e një fushe futbolli. Deri në fund të viteve 1970, zyrtarët e arsyetuan këtë përjashtim mbi bazën se “gratë janë shumë të dobëta dhe të brishta” dhe “organet e tyre riprodhuese dëmtohen”.  

Në vitin 1967 Kathrine Switzer hyri në Maratonën e Bostonit e cila ishte vetëm për burra, nën inicialet K.V Switzer. Sapo filloi gara, zyrtari i garës Jock Semple e kuptoi se një grua po vraponte dhe u përpoq ta pengojë, duke bërtitur “dil nga gara ime” para se partneri i vrapimit të Switzer ta shtynte atë mënjanë. Switzer përfundoi vrapimin për 4 orë e 20 minuta, duke hedhur poshtë pretendimet se gratë janë shumë të dobëta për të vrapuar në distanca të gjata. Drejtori i Shoqatës Atletike të Bostonit, Will Cloney, reagoi duke kërcënuar se “nëse ajo vajzë do të ishte vajza ime, do ta godisja.” Por në 1972 drejtorët e Maratonës së Bostonit zyrtarisht lejuan që gratë të vrapojnë. Maratona të tjera ndoqën shembullin e njëjtë, por ndryshimi ishte i ngadaltë. Ngjarjet për vrapimin e grave në distanca më të gjata se 1500 metra nuk u përfshinë në Lojërat Olimpike deri në 1984.  

Historia e përjashtimit të grave ende varet nga bota drejtuese. Librat mbi vrapimin zakonisht shfaqin një siluetë të një fiziku të hijshëm mashkullor në kopertinë. Gratë janë kryesisht të padukshme në historitë e librave më të shitur siç është “Born to run” i Christopher McDougall, mbi vrapuesit në Meksikë dhe Amerikë. Ato gra që paraqiten në libra vëzhgohen me vështrimin mashkullor. Në autobiografinë e tij “What I Talk About When I Talk About Running”, novelisti Haruki Murakami, përshkruan vrapimin në distanca të gjata si një sprovë serioze e qëndresës mendore dhe fizike që lidhet ngushtë me shkrimin e romanit. Por në librin e tij vetëm burrat janë në detyrë. Gratë në libër, me “flokët bionde të kapura bisht dhe më një palë dëgjuese të reja” janë “më të prira mendërisht për vrapime të shkurtra me shpejtësi të madhe.” Murakami ngushëllon veten e tij se “Ende është shumë e mrekullueshme të shikosh këto vajza të bukura duke vrapuar.” 

Përjashtimi i grave nga vrapimi mu kujtua në korrik të vitit të kaluar në garën Ultimate Trails, një rrugë 55 kilometra rreth zonës së liqenit të Anglisë. Krahasuar me garat e tjera në të cilat kam marrë pjesë, numri i grave në vijat startuese ishte jashtëzakonisht i lartë. Pjesëmarrja e grave në vrapim është rritur vazhdimisht në të gjitha distancat dhe nivelet që nga vitet 1980. Prania e grave në gara me distanca shumë të gjata u rrit prej rreth 5% e të gjithë garuesëve në vitin 1990 në rreth 20-25% në ditën e sotme, por ende nuk ka barazi.  

Shkaku dhe pasoja e këtij çekuilibri është se shumica e garave dizajnohen duke pasur burra në mendje. Rregullat shpesh bazohen në supozimin se vrapuesit kanë trupa mashkullor. Ultra-Trail du Mont Blanc me 106 milje është një nga garat e shtigjeve më të njohura në botë. Vrapuesit që arrijnë në një pozitë për të cilën kanë punuar shumë, por që mund të lëndohen mund ta shtyjnë garën për një vit më vonë. Por konkurrenteve gra të cilat mbeten shtatzënë ose lindin nuk u ofrohet e njëjta mundësi, dhe mund të marrin një rimbursim vetëm nëse gara ndodhë brenda 15 ditëve nga lindja, pas së cilës gratë konsiderohet se rikthejnë format trupore për garë. 

Një fotografi e një vrapuese e quajtur Sophie Power gjatë garës në 2018, duke ushqyer me gji djalin e saj tre muajsh, u bë virale si një imazh “i fuqishëm dhe pozitiv” i identitetit dhe forcës autonome të një nëne.  

Garat në distanca të gjata zakonisht vendosin “ndërprerje”, që janë afate të cilat vrapuesit duhet të kenë kaluar disa pika të caktuara apo të kenë mbaruar vrapin. Ndërprerjet lejojnë organizatorët të rihapin rrugët, por gjithashtu të dallojnë vrapuesit më të ngadaltë gjatë garës. Në të gjitha nivelet, prej amatorëve deri në elitë, si dhe në të gjitha distancat, nga 100 metra në 1000 milje, aftësia më e madhe aerobike e burrave, dhjami i trupit, përmbajtja më e madhe e hemoglobinës dhe masa muskulore, përqindja e madhe e muskujve me dridhje të shpejtë, e bëjnë vrapuesin mesatar burrë rreth 10% më të shpejtë se konkurrentja mesatare grua (edhe pse kjo ndryshon në varësi të distancës).  

Ky fenomen është i dukshëm në maratonën vjetore Lakeland Trails rreth zonës liqenore të Coniston. Ekzistojnë dy versione: të dyja kanë të njëjtën gjatësi, por Sfida qëndron se ka ndërprerje prej tetë orësh, ndërsa Gara përfundon vetëm pas gjashtë orësh. Pjesëmarrja e grave është e lartë, rreth 50%. Studimet e shkencës sportive konfirmojnë implikimin e dukshëm se burrat kanë tendencë të mbivlerësojnë shpejtësinë e tyre, por gratë bëjnë të kundërtën duke nënvlerësuar aftësitë e tyre.  

Kur gratë përfshihen në gara shpesh ekziston një inat. Garave të grave u kushtohet më pak kohë dhe hapësirë sesa atyre të burrave. Shoqata English Cross Country, njëherit organi drejtues i vrapimit në Angli, ende lejon gratë në kampionatet kombëtare të vrapojnë vetëm 8 kilometra, dy të tretat e gjatësisë së garës për burra. Në kampionatin e Jugut të Anglisë, burrat vrapojnë pothuajse dy herë më shumë sesa gratë. Shoqata Botërore e Vrapimit në Bjeshkë kishte të njëjtat rregulla, gratë më të moshuara garuan 8 kliometra në krahasim me 12 kilometra të burrave deri në Janar 2017, kur u barazua distanca për gratë dhe burrat nga 10 kilometra secili.  

Parandalimi i grave për të vrapuar aq sa burrat është pjesërisht trashëgimi e ankthit viktorian për mungesën e qëndresës së grave, dhe pjesërisht e bazuar në argumentin “tradicionalist” se “gratë nuk janë aq të shpejta prandaj kërkojnë gara të shkurta në mënyrë që të vrapojnë në të njëjtën sasi kohe.” Por, siç thekson fushata Maud Hodson, gratë nuk janë një e treta apo gjysmë më të ngadalta krahasuar me burrat. Në çdo rast Kampionati i Jugut të Anglisë nuk barazon kohën e kaluar në garat e burrave dhe grave. Vrapuesëve burra u jepet dyfishi i kohës që kanë gratë, pra 90 minuta krahasuar me 45 minuta të grave, që supozon se ata në fakt vrapojnë me të njëjtën shpejtësi. Me dyfishin e kohës dhe pothuajse dyfishin e distancës së grave, a konsiderohen burrat “dy herë më të rëndësishëm”? 

Është e rëndësishme që gratë të përfshihen në garat e vrapimit, që të merren parasysh specifikat e trupit dhe jetës tonë. Prania e grave të tjera në vrapim mund të ofrojë një lloj solidariteti, zhdukje të sikletit si pasojë e përvojës së përbashkët trupore, veçanërisht kur bëhet fjalë për aspektet më intime të vrapimit, siç është të kryesh nevojat fiziologjike në ambient të hapur. Më e rëndësishmja, vrapimi ofron gëzime specifike që shpesh mungojnë në jetën e grave: fokusi në forcë, shëndet dhe kënaqësi.Nuk duhet të na mohohen këto mundësi.  

Në mëngjesin e garës Ultimate Trails, parashikimi jashtëzakonisht i nxehtë i motit bëri që drejtorët e garës të rishikojnë listën e detyrueshme të pajisjeve. U këshilluam që të mbanin afër dy litra ujë. Isha e vetëdijshme për peshën shtesë në çantën time të vrapit sapo u larguam nga Ambleside. Dhimbja në pjesën e poshtme të shpinës gradualisht më kaloi në kofshë. Në kohën kur arritëm në një pjesë të shkurtër të rrugës që ngrihej pjerrësisht e emëruar “The Struggle”, çdo ngritje e këmbës u bë më e vështirë për shkak të gravitetit. Çanta që kisha ishte e reklamuar si unisex. Në realitet ajo çantë ishte bërë për trupin e një burri.  

Pajisjet për vrapimin e grave janë përmirësuar në mënyrë të vazhdueshme që nga 1980. Këpucët tani i përshtaten fiziologjisë së grave. Por gratë ende kanë shumë pak zgjedhje krahasuar me burrat. Dyqani i vrapimit Ultramarathon aktualisht shet katër herë më shumë pajisje të bëra për burra sesa për gra. Kurrë nuk kam gjetur një kapelë vrapimi ose një palë dorëza të ngushta aq sa të përshtaten në trupin tim. Në gara madhësia më e vogël e bluzës është gjithsesi shumë e madhe.  

Mungesa e kushteve specifike pasqyron padyshim pjesëmarrjen më të vogël të grave në vrapim. Sytjenat e papërshtatshme, kapelat dhe dritat që vendosim në kokë e që na rrëshqasin mbi sy janë të gjitha irrituese dhe shpërfytyrojnë kënaqësinë tonë dhe dekurajojnë gratë për të marrë pjesë në gara. Ky shqetësim është i hershëm. Veshjet sportive të reklamuara për vajzat janë vazhdimisht më pak të qëndrueshme, më pak të papërshkueshme nga uji dhe më pak të përshtatshme për lëvizje krahasuar me ato të djemve.  

Gjërat po ndryshojnë ngadalë. Qasja standarde për të dizajnuar veshjet e grave ka qenë zvogëlimi i masës dhe ndërrimi i ngjyrës së versionit të veshjeve për burra, thotë Helen Stuart, dizajnere në Inov-8. Stuart fillon së pari me modelin e veshjeve të grave dhe pastaj e përshtatë atë për burrat. Krijimi i produkteve për trupat e grave është më i vështirë kështu që filloj me to, argumenton ajo. Firma inovative të tilla si evb Sport janë duke prodhuar veshje posaçërisht për mbështetjen e perineumit të grave, fundin e legenit dhe muskujt.  

Në pikën e parë të garës, në majë të Kirkstone Pass, kisha nevojë të lehtësoja dhimbjen që po më shkaktonte çanta ku kisha vendosur ujin. Vendosa të zvogëloj peshën e saj, duke e zbrazur atë. Me një kilogram më pak, këmbët e mia filluan të përshpejtohen në rrugën drejt Brothers Water, një shteg i gjatë teposhtë, i mbushur me gurë të mëdhenj dhe të paqëndrueshëm që kërkojnë këmbë të shkathëta për të mos u lënduar. Brenda një milje, jo vetëm që u ktheva në mirëqenien mendore dhe fizike, por kapërceva përtej saj në atë që quhet “runner’s high”: gëzimi që muskujt dhe mushkëritë punojnë me efikasitet, harrimi i dhimbjes ose lodhjes, dielli në fytyrën time dhe malet që pasqyroheshin në ujin e qetë.  

Duke zbritur nga një shkëmb në Grasmere që ishte i rrezikshëm për kyçet e këmbëve, mu desh të ndaloja dhe të kthehesha prapa një shkurre. Që kur linda binjakë në 2014, fundi i legenit tim është bërë copë. Unë jam një nga rreth 35% e grave në Britani që preken nga çrregullimet e fundit të legenit (krahasuar me rreth 4% të burrave), një prirje që është rritur nga shtatzënia dhe lindja, dhe përkeqësohet nga mungesa e kujdesit të paslindjes. Në Francë, fizioterapia e fundit të legenit u ofrohet grave pas lindjes si shërbim standard, por jo edhe aq në Britani. Sportet me ndikim të lartë të tilla si vrapimi, që tendosin fundin e legenit, pa kontroll fizik ose këshilla të përshtatshme rezultojnë në dëmtime edhe më të mëdha.  

Lindja e fëmijëve më ka shkaktuar cystocele dhe rectocele (kur fshikëza dhe rektumi bien në murin vaginal) dhe një prolapse në mitër (kur mitra bie në vagjinë). Këto ndikojnë në vrapimin tim. Prolapsi i mitrës është i dhimbshëm. Por unë kam të vendosur një unazë silikoni, pak më të vogël se pëllëmba, e cila rri nën qafën e mitrës dhe shërben si patericë për mitrën time të lëshuar. Për shkak të cystocele, unë poashtu kam nevojë për të përdorur peceta kur vrapoj. Ato kanë nevojë të ndërrohen shpesh dhe gjatë garës Ultimate Trails unë përdora pesë peceta.  

Është e sikletshme poashtu. Garat në shtigje rrallë kanë tualete publike dhe shumica prej tyre janë të papërdorshme gjithsesi. Në Britani, që nga viti 2010 këshillet kanë hequr dorë nga mirëmbajtja e 13% të objekteve publike dhe madje se një e treta janë mbyllur plotësisht. Kur jam duke vrapuar, më duhet të fshihem pas një shkurre ose muri për të ndërruar pecetën time çdo 12 kilometra. Nëse nuk ndalem në kohë, peceta ime vërshon, duke i bërë pis pantallonat me urinë. Gjatë menstruacioneve, e gjithë procedura bëhet edhe më e komplikuar, andaj mbaj me vete një pako të vogël me peceta të lagura për të pastruar duart e mia nga gjaku. Nuk është çudi që sondazhi i grave vrapuese tregoi se shumë prej tyre pengohen nga vrapimi në distanca të gjata si pasojë e mungesës së tualetit. Megjithatë garat në qytet paraqesin një nivel më të lartë të ekspozimit dhe sikletit. Louise Greenwook, drejtore e garës së Canalathon Ultra në Rochdale, ka siguruar leje nga pubet në mënyrë që konkurrentet t’i përdorin tualetet e tyre.  

Vrapimi aq sa ka të bëjë me kujdesin për trupin tuaj lidhet edhe me ndjenjën që të jep një peizazh i bukur. Trupi i çdo vrapuesi ka një seri “tregimesh” elokuente. Kam mësuar se jam hidratuar, jam djersitur dhe ushqyer në mënyrë adekuate, dhe zëri im i brendshëm më thotë “Me të vërtetë ndihem mirë”.  

Ndërsa iu afrova dy miljeve të fundit të garës, e dija se ia dola me sukses. Kisha energji të mjaftueshme për të shpejtuar vrapin, duke kaluar mbi shpatin e fundit të asfaltuar, duke u ngritur mbi urën e këmbëve dhe mbi vijën e përfundimit për 10 orë e 12 minuta. Fotografia në vijën e përfundimit të garës më pasqyron të djersitur, të pluhurosur, plotësisht triumfuese, krenare, të fortë dhe të lumtur.  

Rachel Hewitt

E përktheu: Greta Avdyli

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.economist.com/1843/2019/04/29/for-women-running-is-still-an-act-of-defiance