Alb Eng
Për QIKA
Lexime

Për ta kuptuar më mirë shëndetin e grave duhet ta destigmatizojmë gjakun menstrual

QIKA 21.6.2022

Sëmundjet si endometrioza do të kishin shërim nëse ne do të flisnim dhe t’i studionim ato pa turp

Grave me endometriozë shpeshherë ju thuhet që janë përfituese të antibiotikëve dhe hapave kundër dhimbjes, artiste mashtruese që përpiqen ta shfrytëzojnë sistemin shëndetësor. Quhen ‘përçarëse’, ‘të çmendura’, ‘falsifikuese’ dhe ‘psikosomatike’. Atyre ju thuhet që dhimbja thjesht iu është fiksuar në kokë dhe duhet ta kapërcejnë. Duhet të ndalojnë së qeni gra. Po flasim për adoleshentet e reja dhe gratë me endometriozë që kërkojnë diagnozë, trajtim efektiv dhe kujdes. Nuk ka shërim, por këto gra e meritojnë të shërohen.

Endometrioza shkaktohet kur qelizat endometriale rriten si lezione jashtë mitrës – zakonisht në komblik, përreth vezoreve, fshikëzës, zorrëve dhe vrimës anale, por rrallëherë edhe në mushkëri dhe pjesë të tjera. Kjo gjendje prek mesatarisht një në dhjetë gra dhe këto paciente shpeshherë vuajnë për vite – rreth shtatë vite, para se përfundimisht të diagnostikohen, gjë që kërkon operim dhe mund të zgjasë edhe më shumë përpara se të gjendet trajtimi i duhur.

Pse nuk kemi diagnoza dhe trajtime më të mira për këtë sëmundje? Sepse, mjerisht, shëndeti riprodhues i grave nuk studiohet dhe nuk financohet mjaftueshëm. Të jemi të sinqertë, padrejtësisht ekziston edhe një faktor i neveritshëm; një nga burimet më të mira të materialit biologjik për studimin e shëndetit riprodhues të grave është edhe gjaku menstrual. Për shkak të stigmës ndaj tij, gjaku menstrual rrallëherë është studiuar në imtësi.

Sidomos sot, kur shëndeti riprodhues i grave është vënë në qendër të vëmendjes kombëtare, është koha të flasim lirshëm për të dhe të hulumtojmë menstruacionet dhe gjakun menstrual për të promovuar shëndetin e grave.

Gjaku menstrual mund të ndihmojë hulumtuesit si unë që ta kuptojnë shëndetin riprodhues të gruas. Ai ofron mundësitë për të eksploruar dhe përcaktuar diversitetin qelizor, metabolik, gjenetik dhe epigjenetikë të mitrave të shëndetshme. Këto profile mund të krahasohen me mitrat në situatat e sterilitetit, dismenorresë (ngërçeve të dhimbshme menstruale), infeksioneve të mitrës (të tilla si viruset e lythave dhe endometriti kronik që shkaktojnë kancer), fibroideve të mitrës, ndryshimeve perimenopauzale dhe kancerit në mitër. Dhe kjo mostër biologjike mund të mblidhet lehtësisht pa ndërhyrje kirurgjike – duke përdorur epruvetat menstruale ose sfungjerët e jashtëm grumbullues të dizajnuar posaçërisht për këtë qëllim.

Qysh prej vitit 2013, bashkë me kolegët e mi jemi fokusuar në studimin e gjakut menstrual. Kemi krijuar studimin ROSE (Research OutSmarts Endometriosis) në Institutin Feinstein të Kërkimeve Mjekësore, për të mësuar se si gjaku menstrual mund të mblidhet dhe të përdoret për studimin e endometriozës dhe zhvillimin e testeve diagnostikuese të hershme dhe joinvazive, që ju nevojiten këtyre grave. Më shumë se 2,000 pjesëmarrës i janë bashkuar studimit ROSE (përfshirë gratë me endometriozë të diagnostikuar, ato me kontrolle të shëndetshme dhe ato që kanë qenë në pritje të rezultateve diagnostikuese). Edhe adoleshentet mund të marrin pjesë. Kemi bërë përparim në hulumtimin e gjakut menstrual, kjo një ditë mund të rezultojë në një diagnozë dhe trajtime më efektive të aprovuara nga FDA (Agjencia për Ushqime dhe Barna e ShBA-ve), të cilat mund ta ndalojnë, madje edhe ta parandalojnë sëmundjen.

Si rezultat i dhimbjes kronike, shumë adoleshente dhe gra të reja me endometriozë mungojnë në shkollë, duke ju pamundësuar përmbushja e potencialit të tyre. Në mosha më madhore, këto gra kanë vështirësi në ngritje në detyrë ose mbajtje të punës, për shkak të pushimit mjekësor të zgjatur. Pa një punë, ato humbin edhe sigurimin shëndetësor kaq të nevojshëm dhe pa një sigurim shëndetësor, dhimbjet e tyre mbesin të pakontrolluara. Disa më kanë treguar që e kanë të pamundshme të krijojnë ose mbajnë marrëdhënie intime. Dhimbja e padurueshme e cila zgjat disa ditë çdo muaj hidhet poshtë, nënvlerësohet dhe keqkuptohet. Nuk do të thoja që këto gra e vajza po vuajnë në heshtje. Ato po flasin, por vuajtja e tyre po injorohet.

Momentalisht, mjekimet e vetme në dispozicion për endometriozën janë hormonet dhe terapitë e bazuara në hormone, të cilat mund të shkaktojnë shtim në peshë, afshe të forta dhe i detyrojnë pacientet të futen në menopauzë. Këto ilaçe i trajtojnë vetëm simptomat; ato nuk e ndalin zhvillimin e sëmundjes. Disa paciente me endometriozë thonë që terapitë hormonale janë më të këqija se vet sëmundja.

A po e rrezikon shëndetin e grave kjo neglizhencë e këtij çrregullimi të zakonshëm nga një paragjykim gjinor i kompanive farmaceutike? Për ta trajtuar endometriozën dhe çdo sëmundje tjetër të riprodhimit te gratë, duhet të japim më shumë mbështetje dhe më pak stigmatizim.

Me përpjekje serioze nga hulumtues të ndryshëm dhe bashkëpunues nga akademia dhe industria, dhe me pjesëmarrësit e përfshirë në studim, gjaku menstrual do të zhvillohet në një burim të dobishëm klinik për t’i kuptuar më mirë shëndetin dhe disfunksionin e mitrës, si dhe për qëllime diagnostikuese. Më në fund gjaku nuk do të konsiderohet vetëm si tepricë apo plehër  – diçka për t’u hedhur poshtë çdo muaj – por si një mostër vitale biologjike për shëndetin e grave.

Ndarja e fondeve do të ndiqet me diskutime të vazhdueshme dhe kërkesa nga publiku dhe mjekët klinikë. Me ndarjen e fondeve do të realizohen më shumë hulumtime dhe do të ketë më shumë progres. Le t’i shohim financat në perspektivë: qysh prej vitit 2008, Instituti Kombëtar i Shëndetit ka ndarë rreth 176 milionë dollarë për të financuar kërkimet në endometriozë. Krahasuar me këtë, janë ndarë 2 miliardë dollarë për kolitin ulçeroz, i cili prek rreth 1% të amerikanëve.

Ndërkohë që zhvillimi i terapive të mitrës që bazohen në gjakun menstrual mund të marrë disa vite për t’u zhvilluar, ka gjëra të tjera që mund t’i bëjmë tani. Duhet ta edukojmë më mirë komunitetin e kujdesit shëndetësor dhe ta ngremë vetëdijen për kushtet e shëndetit të grave. Bazuar në diagnozat e gabuara dhe të pamjaftueshme të endometriozës dhe gjendjeve të tjera të shëndetit të mitrës, trajnimi i përmirësuar duhet të sigurohet për personat që ndjekin shkollat mjekësore, të infermierisë apo asistimit fizik, ashtu që ata të bëhen më të ditur dhe ta kuptojnë që dhimbja e komblikut është e vërtetë dhe duhet të analizohet me kujdes në secilin pacient.

Duhet ta rrisim standardin e shkencës, të përmirësojmë kapacitetet diagnostikuese, të ofrojmë trajtime më të mira dhe të sigurojmë kujdes shëndetësor të barabartë për të gjithë. Dhe për ta arritur këtë, na duhet të zhvillojmë bashkëbisedime për menstruacionet dhe gjakun menstrual kudo, në klinikat, shtëpitë dhe shoqërinë tonë.

Christine Metz

E përktheu: Gentinë Vrajolli

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.scientificamerican.com/article/to-better-understand-women-rsquo-s-health-we-need-to-destigmatize-menstrual-blood/?fbclid=IwAR3WOmPSimJ5-3bq9b2GrRoCoNp-69xnBKMr2QmDkezgsLzW3_n2xgZ4_gw

QIKA

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion - QIKA është organizatë e themeluar në gusht të vitit 2020, që për qëllim ka mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.