Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Pse ndryshimi klimatik është çështje feministe?

QIKA 21.1.2022

Një thënie e vjetër thotë që para armëve të gjithë jemi të barabartë. Në formë të ngjashme, edhe emergjenca klimatike për nga definicioni është çështje që duhet të jetë një eksperiencë universale, një kërcënim unifikues në shtëpinë që të gjithë e ndajmë së bashku. Fatkeqësisht, si në shumicën e krizave tjera, të gjithë mund të jemi duke lundruar në detin e njëjtë, por në varka të ndryshme.

Ashtu si me koronavirus, i cili është shtrirë në mënyrë disproporcionale në komunitetet e etnive të zeza, aziatike dhe pakicave (gjithashtu ka ndikuar ekonomikisht tek gratë më shumë se tek burrat), kriza klimatike për disa paraqet probleme më urgjente se sa për disa të tjerë. Efektet do të ndjehen më shumë e më shpejt nga të tjerët, ndërsa zgjidhjet që janë të arritshme për shumicën, janë shumë më larg këtyre grupeve të cenueshme.

Në vitin 2021, ndërsa po i afrohemi çdo ditë e më shumë afatit të Marrëveshjes së Parisit të vitit 2050 për një botë neutrale ndaj klimës, veçse mund ta shohim që gratë, veçanërisht gratë e zeza, janë duke u ndikuar më së shumti nga efektet e kushteve klimatike. Dhe për disa, marrëveshja e gjysmëshekullit do të arrijë shumë më vonë.

Në pjesën më të madhe të hemisferës veriore, ndryshimet klimatike nuk kanë arritur ende të ndikojnë në jetën e përditshme në mënyrë që populli të alarmohet për urgjencë. Megjithëse jemi duke parë më shumë përmbytje lokale si përmbytjet apo stuhitë në vende si Teksasi, situata është shumë më keq në rajonet tjera në të cilat ndryshimet klimatike po ndikojnë shumë më shumë në jetën e përditshme të njerëzve.

Shifrat nga Kombet e Bashkuara sugjerojnë që 80% e njerëzve të zhvendosur në vende të ndryshme të botës për shkak ndryshimeve klimatike janë gra. Sipas një rishikimi të 130 studimeve nga Global Gender and Climate Alliance në vitin 2016, gratë kanë më shumë të ngjarë të vuajnë  për ushqim si pasojë e krizës klimatike. Pas ngjarjeve ekstreme të motit, gratë gjithashtu kanë më shumë gjasa të përjetojnë sëmundje mendore dhe dhunë nga bashkëshorti.

Profesore Nitya Rao në Universitetin e Anglisë Lindore (UEA), bën hulumtime për barazi gjinore në pjesë të Afrikës dhe Azisë të cilat tashmë janë prekur rëndë nga ndryshimet klimatike. Ajo shprehë se në shumë prej zonave rurale ku ajo shtjellon hulumtimet, në vende si Nepali dhe India, thatësirat dhe përmbytjet mund të shkatërrojnë të korrat, ku rezultatet e punës bujqësore mund të përfundojnë në mënyrë të paparashikueshme.

Kriza klimatike do të thotë që këto ngjarje të pazakonta të motit po bëhen gjithnjë e më të zakonshme duke ndikuar në ndryshimin e statusit të punës.

Në mënyrë që të zvogëlohet rreziku i përgjithshëm për të ardhurat e familjes, burrat, të cilët kanë qasje në një gamë më të gjerë të vendeve të punës, shpesh migrojnë në zona të tjera, veçanërisht në zona urbane, larg të ardhurave që varen nga punimi i tokës, ndërsa gratë qëndrojnë që të kujdesen për fëmijët dhe të vazhdojnë bujqësinë. Nëse puna në bujqësi nuk ecën mirë, gratë përfundojnë duke bërë punë të ndryshme, thotë Rao.

“Ato do të punojnë në fermën e tyre, gjithashtu do të përpiqen të bëjnë edhe gjëra tjera, të hapin ndonjë dyqan të vogël, ndonjë lloj ndërmarrje ose mund të punojnë me pagë për ndonjë pronar më të pasur në mënyrë që të sigurohen që të kenë të ardhura të mjaftueshme në familje për nevojat e përditshme,” tregon Rao për “The Independent “ nga India, ku edhe është duke e bërë për momentin hulumtimin.

Ajo më tej shpjegon se, megjithëse burrat shpesh dërgojnë para në shtëpi, ky ndryshim i rrethanave i vë gratë në presion “Veçanërisht gjatë kohës kur burrat nuk janë prezent, ata mund të dërgojnë para një, dy apo tre herë në muaj. Në ndërkohë, gratë duhet që të vetë menaxhojnë gjëra të ndryshme, kështu ato përfundojnë duke punuar shumë më shumë.” 

Efektet e krizës klimatike kanë filluar të ndikojnë edhe në ekonominë prodhuese, tashmë veçse është bërë një realitet i përditshëm për gratë në pjesë të ndryshme të globit, ndërsa gratë në Mbretërinë e Bashkuar nuk kanë ndjerë ende pabarazi të dukshme në mënyrën se si ato preken nga efektet e krizës klimatike përkundër burrave.

Profesor Julie Doyle në Universitetin e Brighton, puna e të cilit përfshin ekzaminimin e rolit të medias dhe komunikimit në luftimin e ndryshimeve klimatike, thotë se kjo do të manifestohet me kalimin e kohës. Duke u bazuar në pandemi për të ilustruar se si krizat ndikojnë ndryshe tek njerëzit në bazë të dallimeve shoqërore të gjinisë, racës dhe klasës, Doyle thekson se “pabarazia është e përhapur në Mbretërinë e Bashkuar”.

“Gratë kanë mbajtur barrën e përgjegjësive për kujdesin, punët e shtëpisë dhe shkollimin në shtëpi (gjatë periudhës së pandemisë) dhe shumica prej tyre kanë humbur vendin e punës, përkundër burrave”, deklaron ajo për The Independent.

Kërkimet nga Grupi i Buxhetit të Grave (Women’s Budget Group), botuar në nëntor të vitit 2020, zbuluan se gjatë valës së parë të COVID rreth 133,000 gra ishin larguar përkohësisht nga puna më shumë se burrat në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Në mënyrë të ngjashme, një studim nga Universiteti i Exeter, botuar në korrik, zbuloi se gratë kishin dy herë më shumë gjasa të kishin humbur  punën gjatë mbylljes së parë.

Dr.Clare Wenham, profesore asistente për politikë globale shëndetësore në LSE, tha për The Independent se, gjatë periudhave të krizës, “normat gjinore bëhen më të shprehura”. Ajo përmendi shembuj të pandemive duke përfshirë Covid, Ebola dhe Zika, në të cilat punësimi i grave u cenua në mënyrë disproporcionale.

Doyle thotë, ashtu siç kemi parë ndryshimin e rrethanave për gratë gjatë pandemisë, përderisa presioni i krizës klimatike rritet, me gjasë kjo ngjarje do të përsëritet. “Ndërsa ndryshimet klimatike ndikojnë gjithnjë e më shumë në përmbysjet lokale në Mbretërinë e Bashkuar, valët e të nxehtit dhe aftësia për të siguruar ushqim e burime tjera në vendet ku ndryshimet klimatike janë duke pasur ndikim shumë të madh, pabarazia po rritet edhe më shumë, duke na kufizuar aftësitë tona për t’iu përgjigjur ndikimeve të tilla në mënyrë të barabartë.”

Një studim i vitit 2010, botuar në revistën Environmental Health, zbuloi se gratë në disa qytete evropiane, përfshirë Londrën, kanë gjasa më të mëdha të vdesin gjatë valëve të nxehtësisë, se sa burrat. Autorët e revistës sugjeruan që arsyet e mundshme mund t’i atribuohen kushteve shoqërore të grave të moshuara që jetojnë vetëm dhe ndryshimeve fiziologjike, p.sh, ulja e aftësisë për djersitje që ndikon për t’iu përgjigjur stresit ndaj nxehtësisë.

Çka nëse ka diçka që mund të bëhet për të ulur ndikimin e ndryshimeve klimatike tek gratë? Sipas Dolye, është e rëndësishme që krizën klimatike ta rendisim si “çështje të drejtësisë” dhe kjo çështje të trajtohet qysh nga shkollat fillore. Përgjatë ndërmarrjeve kundër ngrohjes  globale, nuk duhemi që ta trajtojmë “ndryshimet klimatike si të ndarë nga barazia gjinore”, thotë ajo, duke i inkurajuar njerëzit që të shohin këtë si çështje të ndërthurur.

Rao thekson se gratë janë “të qëndrueshme” dhe po përshtaten mirë me përballjen ndaj ndryshimeve klimatike, por ato kanë nevojë për një mbështetje të  nivelit strukturor, për t’iu ndihmuar me çështjet që ato përballen. “Unë jam shumë kundër që gratë po bëhen viktima të ndryshimeve klimatike,” thotë ajo. “Ato po tregohen mjaft të qëndrueshme, por ne duhet t’i mbështesim dhe t’ua mundësojmë që të bëjnë atë që dëshirojnë.”

Doyle shton se, për të luftuar ndikimet e klimës në çështje gjinore, ne kemi nevojë për më shumë gra në pushtet. Në fakt, hulumtimet e bëra në fillim të këtij viti nga Qendra për Kërkime të Politikave Ekonomike dhe Forumi Ekonomik Botëror zbuluan se vendet e drejtuara nga gratë, përjetuan dukshëm më pak vdekje nga COVID 19.

 “Gratë dhe vajzat, veçanërisht ato të zeza, duhet të jenë në krye të vendimmarrjes për ndryshimet  klimatike në nivelin lokal, rajonal, kombëtar dhe ndërkombëtar,” konkludon Doyle. “Ndryshimet klimatike nuk duhet të diskutohen pa i’u referuar pabarazive gjinore, racore dhe klasore.”

Lidhja mes pabarazisë gjinore dhe ndikimeve të krizës klimatike nuk është e dukshme për ata, jeta e të cilëve, nuk është përmbysur nga ngrohja globale. Kështu, për të parandaluar thellimin e mëtejshëm të pabarazive gjinore, duhet kuptuar domosdoshmërisht marrëdhënien komplekse mes ndryshimeve klimatike me strukturat e pushtetit.

Natasha Preskey

E përktheu: Medinë Dauti

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.independent.co.uk/climate-change/sustainable-living/climate-change-gender-equality-feminism-b1816507.html?fbclid=IwAR0nZDJu_Num42d9_PZGD-ZnynbE2ULcaMfwfFM3CpC8QzlRiJ7RQjmyQMc