Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Romani i ri grafik zbulon rolin e fshehur të grave të zeza në revoltat e skllevërve

QIKA 20.9.2021

Hulumtimi i Rebecca Hall na mëson se pavarësisht nga tregimet dominuese, gratë megjithatë kanë qenë të përfshira fuqishëm në revoltat e skllevërve. Këto gjetje dokumentohen në romanin e saj grafik “Wake”.

Kur Rebecca Hall filloi të hulumtonte rolet e grave të robëruara afrikane në udhëheqjen e revoltave kundër skllavopronarëve të tyre ajo po studionte për doktoratën në histori në Universitetin e Kalifornisë, Santa Cruz në fillim të viteve 2000, me ç’rast ajo gjeti një argument të përsëritur në shumë prej burimeve të literaturës që ajo përdorte: Gratë e skllavëruara nuk u revoltuan.

Ky rrëfim vazhdoi të qarkullonte mes historianëve edhe pse provat vërtetuan se ishte i rremë. Në kohën kur Hall po realizonte hulumtimin e saj, një grup historianësh analizuan më shumë se 27,000 udhëtime të skllevërve me anije që u bënë përgjatë shekujve dhe zbuluan se kishte pasur kryengritje të paktën në 1 nga 10 udhëtimet që ata analizuan dhe se ato kishin të ngjarë të ndodhnin kur gratë më të robëruara ndodheshin në anije.

Por, studiuesit vunë në dyshim gjetjet e tyre në lidhje me rolin që gratë luajtën në kryengritje, duke i quajtur ato në dokumentet historike si “kundër-intuitive” dhe duke vënë në dukje se “gratë rrallë përmenden si udhëheqëse të rezistencës së dhunshme.”

Hulumtimi i Hall nxori një përfundim ndryshe: “Unë po gjeja gra në të gjitha burimet e literaturës”, tha ajo. 

Me romanin grafik debutues të saj “Wake: The Hidden History of Women-Led Slave Revolts”, ilustruar nga Hugo Martínez i cili u botua në qershor, Hall ka përkthyer kërkimin e saj akademik në një mjet që synonte të arrinte masat. Ajo ringjallë historitë e grave të robëruara, rezistenca e të cilave është përjashtuar prej kohësh nga historia, me qëllim që të frymëzojë aktivistët të cilët në ditët e sotme luftojnë kundër racizmit të zezakëve.

“Kur krijon një situatë ku fshihet historia e një populli, atëherë kjo është një formë ekstreme e dhunës”, tha Hall. “Ajo histori e rezistencës është një kërcënim për rendin politik ekzistues dhe kështu ajo duhet të rinjihet në mënyrë aktive.”

Libri tregon historitë e mëparshme të pa treguara të grave që kanë drejtuar kryengritjet e skllevërve të cilat kanë ndodhur në fshatrat e Afrikës Perëndimore para se njerëzit të rrëmbeheshin dhe të skllavëroheshin në anijet e skllevërve që udhëtonin nga Afrika në Amerikë dhe më pas në plantacionet e Amerikës, tha Hall. Këto kryengritje përfshinin luftë fizike në të cilat njerëzit e skllavëruar ndonjëherë vrisnin skllavopronarët e tyre si dhe forma të tjera të rezistencës ku rastiste që njerëzit hidheshin nga anijet e skllevërve për tu mbytur para se anijet të arrinin në tokë.

Në anijet e skllevërve, gratë e robëruara mbaheshin “kryesisht të palidhura në kuvertë pranë armëve”, shkruan Hall në “Wake”. Derisa kjo afërsi me ekuipazhin e bënte të mundur abuzimin seksual, poashtu u krijoi mundësinë grave që të fillonin kryengritje. Hall thotë se “ekuipazhet e anijeve të skllevërve mbetën të pavëmendshëm ndaj agjencisë së grave të robëruara”, për të cilat ata nuk besonin se do të luftonin kundër skllavërisë së tyre. Por “gratë përdorën mobilitetin e tyre relativ dhe qasjen në armë për të planifikuar dhe iniciuar kryengritje pas kryengritje”, tha Hall.

Gratë e robëruara poashtu u rezistuan skllavopronarëve të tyre, siç është rasti i revoltës në vitin 1708 në Queens, New York, ku një grua dhe burrë të cilit ishin të robëruar vranë skllavopronarin dhe familjen e tij, një histori të cilën Hall e rrëfen në “Wake”. Por për shkak se një grua e udhëhoqi këtë rezistencë, incidenti nuk ishte klasifikuar historikisht si një revoltë kundër skllavërimit dhe “Historianët në momentin që kanë lexuar “grua” dhe “ka vrarë skllavopronarin e saj” menjëherë e kanë zhvlerësuar aktin duke e kategorizuar vetëm si një lloj dhune individuale në familje”, shkruan Hall, duke vënë në dukje se karakteristika të tilla mbështeten në stereotipet e bazuara në gjini.

“Wake” poashtu i përfshin lexuesit në procesin kërkimor të Hall, duke nxjerrë në pah sfidat me të cilat ajo u përball si një grua e zezë e cila po nxirrte në dritë këto histori të fjetura. Disa nga sfidat ishin logjistike: Një kompani e bllokoi Hall që të mos kishte qasje në dokumentet historike për të mbajtur të fshehur përfshirjen e kompanisë në tregtinë e skllevërve. Sfidat e tjera ishin emocionale, pasi që Hall e detyroi veten të përballet me “disa nga materialet më shqetësuese që një historiani të skllavërisë i duhet ti mendojë”, shkruan ajo, duke përfshirë regjistrimet e anijeve të skllevërve që bëjnë kronikën për vdekjet e përditshme të fëmijëve dhe të rriturve të robëruar të cilët nuk kishin emër.

Përfshirja e përgjigjeve emocionale të saj ndaj historive që zbuloi ishte vendimtare për rrëfimin e Hall. “Më duhej të tregoja të vërtetën time në lidhje me procesin e kërkimit dhe sa i dhimbshëm dhe i vështirë ishte”, tha ajo.

Hall mblodhi forcat për tejkaluar pikëllimin e saj dhe për të vazhduar kërkimin duke kujtuar trashëgiminë e gjyshes së saj, Harriet Thorpe, e cila lindi e robëruar dhe historia e së cilës shfaqet në “Wake”.

“Fakti që ajo ishte në gjendje ti mbijetonte skllavërisë apo që njerëzit ishin në gjendje ti mbijetonin  skllavërisë në përgjithësi, më bëri të ndihem sikur të paktën mund të hulumtoj mbi këtë”, tha Hall.

Lidhja mes të kaluarës dhe të tashmes është një nga gjërat e shumta që shfaqen përmes ilustrimeve të Martínez, të cilat përfshijnë vizatime të qytetit të sotëm të New York në të cilin Hall kreu pjesën më të madhe të studimeve të saj, së bashku me skicat e njerëzve të robëruar të lidhur me zinxhirë duke ecur nëpër rrugë shekuj më herët. Sipas The New York Times, në shekullin XVII dhe XVIII, qyteti i New York ishte zona më e madhe urbane që kishte popullsi të skllavëruar në kontinentin e Amerikës së Veriut. Në 1712, një grup njerëzish të skllavëruar në qytet organizuan një kryengritje e cila përfshinte të paktën katër gra të robëruara: Sarah, Abigail, Lily dhe Amba. Këtë histori Hall e shpërfaq në “Wake”.

Hall tha se historitë e mëhershme të pa treguara të rezistencës së grave të robëruara, të cilat shoqërohen me shembuj se si vazhdojnë trashëgimitë e skllavërisë, u tregojnë lexuesve fuqinë dhe mundësitë e kundërshtimit të shtypjes bashkëkohore: “Kjo njohuri mund ti fuqizojë njerëzit të kuptojnë se ne mund të bëjmë ndryshimin që na nevojitet.”

E përktheu: Greta Avdyli

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.nbcnews.com/news/nbcblk/new-graphic-novel-reveals-black-womens-hidden-role-slave-revolts-rcna1573