Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

‘Kulti i virgjërisë’ ende po vazhdon!

QIKA 1.2.2022

Në mesjetë, para se një grua të bëhej nuse e mbretërisë duhej të kontrollohej para natës së dasmës nëse ajo ishte e virgjër apo jo. “Himeni është një membranë jo krejtësisht pa gjak”, shkroi Louise Bourgeois, një obstetëre e shekullit të 17-të. “Në mes ka një vrimë të vogël, në të cilën zbrazet gjaku menstrual. Në momentin e penetrimit të parë, himeni prishet, gjë që shkakton pak dhimbje dhe rrjedhje të gjakut, kjo tregon se një grua është e virgjër”, vazhdonte ajo.

Në realitet, shumë vajza lindin pa himen, ndërsa të tjerat e grisin membranën shumë kohë përpara se të kryejnë marrëdhënie seksuale, më së shpeshti duke ushtruar. Megjithatë, kërkesa për testimin e virgjërisë – zakonisht, një ekzaminim gjinekologjik në të cilin mjeku kontrollon se a është himeni – është zakon që vazhdon edhe në kohët e sotme. Në vitin 1979, qeveria britanike i bëri një ekzaminim të tillë një gruaje indiane 35-vjeçare me qëllim që ‘të shihte nëse ishte në të vërtetë një virgjëreshë e mirëfilltë’, meqenëse ajo kishte udhëtuar në Londër për t’u martuar. (The Guardian më vonë zbuloi se zyrtarët e imigracionit i nënshtruan më shumë se 80 gra në teste të tilla nga viti 1976 deri në 1979.) Ndërsa autoritetet egjiptiane përdorën pretekstin e inspektimeve të virgjërisë për të sulmuar protestat e grave gjatë pranverës se vitit 2011 (ku ndodhën protesta të shumta kundër qeverisë arabe) dhe deri në korrik të vitit 2021 ku ushtria indoneziane kryente rregullisht inspektime të tilla, jo vetëm për rekrutet gra, por edhe për të fejuarat e ushtarëve burra.

Sot, kjo praktikë vazhdon në mesin e disa komuniteteve myslimane në Evropë, Azi dhe Afrikë, romët në Evropë dhe disa komunitete ortodokse hebreje dhe fundamentalisht të krishtera në Shtetet e Bashkuara. Dy vite më parë, reperi amerikan T.I. (Clifford Joseph Harris Jr.) pohoi se ai çdo vit e çonte vajzën e tij në kontroll tek gjinekologu për të vërtetuar ‘virgjërinë’ e saj. “Po, unë shkoj me të… që nga ditëlindja e saj e 18-të, himeni i saj është ende i paprekur”, tha ai. Ndërsa me vonë ai tha se kjo histori ishte bërë sensacion, sepse ai nuk kishte qenë kurrë në dhomën kur u bë ekzaminimi dhe se vajza e tij nuk kishte asnjë kundërshtim për këtë. Megjithatë, vajza e tij Deyjah Harris, tha se ndjente se “nuk mund të thoshte jo”.

Vjeshtën e vitit të kaluar, Britania ishte bërë gati të ndalojë testet e virgjërisë dhe po konsideronte ndalimin e operacionit për riparimin e himenit. Kjo do të ishte një fitore mbresëlënëse, sepse në një epokë që i jep prioritet çështjeve romanstizuese dhe sensacionale, meqenëse feministet e kanë të vështirë që të mbajnë interesin në fushatat të ngadalta kundër traditave të dëmshme dhe patriarkale. (Shumë njerëz supozojnë se një praktikë që tingëllon si kjo mesjetare duhet të jetë hequr deri tani.) Një ndërlikim tjetër është se testi i virgjërisë dhe operacioni i riparimit të himenit praktikohen kryesisht nga anëtarë të pakicave fetare dhe etnike, gjë që i bën shumë liberalë të frustruar në kritikimin e atyre që kërkojnë këto procedura.  Mbrojtësve të të drejtave të grave u është dashur gjithashtu të kundërshtojnë një lloj spinazhi tinëzar politik. Praktikuesit e testimit të virgjërisë dhe kirurgjisë së riparimit të himenit janë përpjekur t’i riemërojnë ato në një mënyrë neutrale dhe pozitive: shumë faqe mjekësore në internet i paraqesin këto procedura jo si metoda patriarkale të vjetruara për zbatimin e pastërtisë, por si forma fuqizuese – rinovuese të kujdesit ndaj vetes, duke i krahasuar me mbushjen e buzëve ose ngritjen e fytyrës.

Testet e virgjërisë nuk janë vetëm degraduese por janë gjithashtu të padobishme. Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka bërë të qartë: “Nuk ka asnjë meritë shkencore apo indikacion klinik për “testimin e virgjërisë” apo “ekzaminimin e virgjërisë”. Përveç inspektimeve të himenit, metoda tjetër kryesore është “testi me dy gishta”, e cila shërben për të kontrolluar ngushtësinë e vaginës. Këto teste janë shumë më invazive dhe njëkohësisht të pakuptimta.

Për këtë arsye qeveria e kryeministrit britanik Boris Johnson kohët e fundit u angazhua për t’i bërë të paligjshme testet e virgjërisë. Richard Holden, anëtar i ri konservator i Parlamentit, ka propozuar një amendament që kriminalizon këtë praktikë. Ai gjeti 21 klinika që ofronin këtë shërbim në Mbretërinë e Bashkuar, duke paguar deri në 300 £ (358 euro) për një certifikatë virgjërie. Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara, një studim i vitit 2016 me 300 gjinekologë zbuloi se 10.1% kishin pasur të paktën një pacient që kishte kërkuar një test virgjërie në 12 muajt e fundit dhe 3.5% kishin kryer një test të tillë.

Njëherë e një kohë, familjet kërkonin të shihnin çarçafët e njollosur me gjak në mëngjesin pas dasmës, ose të dërgonin vajzat tek një mami për testimin me dy gishta. Diana Nammi, themeluesja e Organizatës për të Drejtat e Grave Iraniane dhe Kurde me qendër në Londër (IKWRO), kishte thënë se tani “kjo praktikë është ‘modernizuar’ duke i dërguar gratë për tu kontrolluar para natës së martesës në klinikë”. Aneeta Prem, themeluesja e grupit për të drejtat e grave Freedom Charity, më tha se testimi i virgjërisë është bërë pjesë e “paketës” që kërkohet nga familja: “Nuk është vetëm fotografia, edukimi, gatimi apo pastrimi, në këtë paketë hyn edhe prova e virgjërisë.”

Ani pse qeveria britanike duket e gatshme të ndalojë testimin e virgjërisë, përgjigja e saj ndaj propozimit të Holden për të ndaluar gjithashtu të ashtuquajturat operacione të riparimit të virgjërisë ka qenë më pasive. Ashtu si testimi i virgjërisë, himenoplastika është një pseudoshkencë e pastër: Një studim i vitit 2012 nga studiues holandezë zbuloi se 17 nga 19 gra që kishin bërë operacionin nuk kishin pasur gjakderdhje natën e tyre të dasmës. Shpesh ka ndodhur që nuk ka pasur mbetje të himenit mjaftueshëm për t’u qepur, kështu që kirurgët krijojnë një himen artificial duke përdorur lëkurën e murit vaginal. Himenoplastika është një formë e gjymtimit gjenital femëror, tha Holden. “Kjo është një praktikë mjekësore mashtruese. Ne nuk do t’i lejonim njerëzit të thoshin se ekzistojnë elf që jetojnë në flokët e tyre! Meqenëse është demantuar nga shkenca mjekësore, pse dreqin po e lejojmë ende atë?”

E megjithatë operacionet estetike janë të vështira për t’u ndaluar nëse ekziston kërkesa për to. Himenoplastika është një procedurë e reklamuar gjerësisht në Amerikën e Veriut dhe Evropë, e kryer zakonisht si operacion ambulator nën anestezi lokale ose të përgjithshme me një kosto prej rreth 4000 dollarë. Ai kryhet nga më shumë se një duzinë klinika në Harley Street të Londrës, shtëpia tradicionale e mjekësisë britanike, si dhe nga kirurgë në të gjithë Shtetet e Bashkuara dhe Kanada.

Mjekët që reklamojnë procedurën (ose mbrojnë operacionin) përdorin thirrjet feministe të zgjedhjes dhe fuqizimit. “Duke ofruar këtë shërbim, ne hapim derën për gratë që duan të kërkojnë këtë trajtim dhe u japim atyre mundësi. Nuk varet nga unë apo nga qeveria, opsioni është i grave”, tha një mjek në Britani për Sky News këtë verë. Dy vjet më parë, një mjek nga Nju Jorku që kryen himenoplastikë – duke përfshirë vajzat nën 18 vjeç me pëlqimin e prindërve – i tha një intervistuesi se zyra e tij ishte një “hapësirë e sigurt” për vajzat dhe gratë.

Megjithatë, shumë nga gratë që kërkojnë himenoplastikë e bëjnë këtë sepse kanë frikë për jetën e tyre. Në vitin 2002, 16-vjeçarja Heshu Jones, nga komuniteti kurd në Londrën Perëndimore, u vra nga babai i saj pasi dyshohet se dështoi në testin e virgjërisë. Babai i saj i preu fytin dhe më pas tentoi për të vrarë veten. Vrasja ishte e para që u njoh si një “vrasje nderi” në Britani.

Që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit, Aneeta Prem ka vërejtur një rritje prej 40% të thirrjeve në linjën telefonike Freedom Charity, pasi mbylljet e shkollave dhe bizneseve kanë bërë të paarritshme burimet e tjera të mbështetjes emocionale. Disa nga gratë telefonojnë për të kërkuar ndihmë për të mbledhur paratë për kirurgji. “Një vajzë na kërkoi të paguanim himenoplastikën për të,” tha ajo. Kur Prem refuzoi, vajza i tha se do të duhej të bëhej prostitutë për të mbledhur paratë, sepse familja e të fejuarit do ta vriste nëse do të zbulonte se ajo nuk ishte e virgjër. “Unë njoh vajza që kanë thënë në natën e tyre të dasmës se do të marrin gjak të rremë, ose do të marrin një brisk në shtrat me vete, vetëm për të gjakosur diku.” Amazon kishte shitur “pilula të himenit artificial” të cilat pas një proteste të mbajtur në Indi kundër tyre, i hoqi pilulat nga shitja në disa vende. Megjithatë, shitësit e palëve të treta ende i shesin këto pilula të cilat përmbajnë gjak të rremë. Prem beson se vetëm sanksionimi i këtyre veprimeve mund të frenojë obsesionin me virgjërinë i cili po nxit dhunën e bazuar në nder.

Kundërshtarët e testimit të virgjërisë dhe riparimit të virgjërisë në Mbretërinë e Bashkuar përballen me dy pengesa. E para është frika se çdo ndalim do rezultojë me bërjen e tij në mënyrë ilegale ose, më shumë gjasa, jashtë vendit. Kjo është arsyeja pse avokuesit e të drejtave të grave duan që legjislacioni të kriminalizoj edhe dërgimin e vajzave jashtë shtetit për operacion. Diana Nammi nga IKWRO, është e bindur qe e vetmja zgjidhje për shkatërrimin e kultit të virgjërisë është kriminalizimi i tij “Duhet ta fshijmë, për të bërë histori”, tha ajo. Organizata e saj e sheh testimin e virgjërisë si pjesë të fiksimit më të gjerë kulturor mbi “nderin”.

Menaxherja e fushatave në IKWRO është 33-vjeçarja Payzee Mahmod, motra e së cilës, Banaz, u vra në Londër me urdhër të familjes së saj, sepse ajo ishte larguar nga martesa e saj abuzive dhe e detyruar. (Babai dhe xhaxhai i Mahmodit u dënuan për vrasjen në vitin 2007, së bashku me tre burra të tjerë.) E rritur në Iran, më tha Mahmodi, ajo ishte paralajmëruar të mos luante shumë, ose të ngiste biçikletë, apo edhe të ulej në mënyrë të gabuar sepse ajo mund të grisi aksidentalisht himenin e saj. Ajo tani bën fushata kundër martesës së fëmijëve dhe martesës së detyruar, si dhe vrasjeve për nder dhe testimit të virgjërisë.

Pengesa e dytë është frika liberale për t’u dhënë municion racistëve dhe ksenofobëve, të cilët komentojnë në mënyrë oportuniste martesën e detyruar, gjymtimin gjenital të femrave dhe praktika të tjera për të forcuar një narrativë të epërsisë së bardhë, perëndimore. “Kjo është dhunë ndaj grave,” tha Nammi. “Nuk duhet respektuar apo toleruar. Është një krim.” Ajo vëren se praktika nuk kufizohet vetëm në komunitetet myslimane, por kryhet edhe nga disa hebrenj dhe të krishterë.

Testimi i virgjërisë nuk ka vend në botën moderne. Është një formë dhune që normalizon dhunën e mëtejshme ndaj grave duke mbështetur idenë se sjellja seksuale është një çështje e reputacionit familjar ose e debatit publik. Kirurgjia për riparimin e virgjërisë është gjithashtu një formë dhune. Kirurgët nuk duhet të shfrytëzojnë procedurat qesharake pa përfitime mjekësore, vetëm për përfitime personale. Nuk ka asgjë paragjykuese për kundërshtimin e të dyja praktikave. Koha për t’i ndaluar këto praktika ka skaduar moti.

Angelo Brewing

E përktheu: Medinë Dauti

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.theatlantic.com/ideas/archive/2021/09/pseudoscience-virginity-testing-hymenoplasty/620089/?fbclid=IwAR3-RN8zO-3IfBy9d6CtcXr3BcSeIhdXzgjt2tZ2g-tUFZrgu_7r36P5v9g