Dje, përmes një aksioni simbolik Lëvizja Feministe Studentore (LFS) ka ironizuar me Këshillin e Etikës të Universitetit të Prishtinës. Për të kritikuar mungesën e reagimit dhe gatishmërisë për të trajtuar denoncimin për ngacmim seksual ndaj profesorit Xhevat Krasniqi nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë, aktivistet/ët e LFS-së para Rektoratit të UP-së dërguan disa jastëkë me mbishkrimin “SHHH, KËSHILLI I ETIKËS PO FLEN…”.
“Sot, para Rektoratit të UP-së e vendosëm nga një jastëk për secilin anëtarë të Këshillit të Etikës. Këshilli i Etikës po fle i qetë teksa vajzat e gratë në hapësirat e UP-së nuk janë as të qeta e as të sigurta. Këshillit të Etikës, tash e tri javë, gjumin nuk ia prishi as denoncimi për ngacmim seksual nga 27 studente ndaj profesorit Xhevat Krasniqi, ashtu siç tash e disa vite nuk ia kanë prishur gjumin raste të tjera të ngacmimeve seksuale dhe sulmeve seksuale që s’janë trajtuar as drejtë e as me seriozitet”, thuhet në deklaratën e LFS.