Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

LFS kritikon mungesën e profesionalitetit të Këshillit të Etikës

QIKA 15.4.2024

Të premten, aktivistet e Lëvizjes Feministe Studentore përmes një aksioni simbolik kanë shprehur pakënaqësinë lidhur me mënyrën se si Këshilli i Etikës po e trajton rastin e 27 denoncimeve për profesorin Xhevat Krasniqi, për ngacmim seksual.

Aktivistet e LFS që kanë realizuar protesta e aksione të ndryshme që nga publikimi i rastit treguan se nuk do të ndalen derisa profesori në fjalë të përjashtohet nga Universiteti i Prishtinës.

Deklarata e plotë e LFS:

 “Sot, çmimin vjetor për mungesë të etikës ia ndamë organit më joprofesional në Universitetin e Prishtinës, Këshillit të Etikës.

Këshillit, i cili ka histori me neglizhim, trajtimin joserioz të rasteve e me dënime skandaloze për shkeljet që konstaton, nuk i mjaftuan as 1 muaj e gjysmë kohë, as dëshmitë e palëve e as 3 seanca që shqyrtuan rastin për ta përjashtuar 27 herë të denoncuarin për ngacmim seksual, Xhevat Krasniqi, duke e lënë kështu që lirshëm të ligjëroj në Fakultetin e Edukimit, ku shumica e studenteve janë vajza.

Këshillit, i cili nga çdo mbledhje po del nën shoqërimin policor sepse po refuzojnë të marrin një vendim meritor lidhur me rastin, i rikujtojmë se në luftën kundër ngacmimeve seksuale nuk ka neutralitet, ose rreshtohesh me ngacmimin dhe ngacmuesit seksualë ose kundër tyre.

Këshillit, i cili kërkesën për ushtrim të kompetencave e konsideron si presion i rikujtojmë se qortimet tuaja publike e dhuna policore as nuk i frikësojnë e as nuk do ti ndalin aktivistet/ët.

Sot, pak më herët, në media dëgjuam rrëfimin e një ish studenteje të Fakultetit të Edukimit, e mbijetuar e ngacmimit seksual nga profesori Xhevat Krasniqi dhe kjo na alarmon, e do të duhej ta alarmonte edhe universitetin.

Nga këtu bëjmë thirrje për të gjithë stafin akademik, administrativ e teknikë të UP-së, për të gjithë studentet e studentët, punëtoret e punëtorët që të na bashkohen në rezistencën tonë kundër ngacmimeve seksuale dhe kërkesës për hapësira

 të sigurta për vajzat dhe gratë në UP.

Kërkesat tona janë të qarta dhe në asnjë formë nuk do të tërhiqemi nga ato, edhe nëse kjo nënkupton ndërrim të formës dhe mjeteve të protestës.

Xhevat Krasniqi, për të cilin tashmë edhe Policia e Kosovës ka nisur hetimet, ka me u përjashtu prej UP-së, zgjidhje tjetër nuk ka”.