Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Lirohen dy aktivistet e shquara për të drejtat e grave në Arabinë Saudite

QIKA 29.6.2021

Arabia Saudite ka liruar Samar Badawi dhe Nassima al-Sadah, dy aktivistet e shquara për të drejtat e grave të cilat janë mbajtur në paraburgim për gati tre vite. Aktivistet u arrestuan në gusht 2018, për shkak të përpjekjeve për të drejtën e grave për të vozitur makinën si dhe për t’i dhënë fund sistemit ku gratë duhet të kenë kujdestarë burra.

Badawi në 2012 mori çmimin ndërkombëtar për Gratë e Guximshme në SHBA. Ajo ishte ndër gratë e para që nënshkroi peticionin që i bënte thirrje qeverisë që të lejonte gratë të vozisin makinën, të kenë të drejtën e votës si dhe të garojnë në zgjedhjet lokale. Ndërsa, Al-Sadah poashtu kishte bërë fushatë për të drejtën e vozitjes së makinës dhe për shfuqizimin e sistemit të kujdestarisë. Ajo kandidoi për zgjedhjet lokale në 2015, me ç’rast emri i saj u hoq nga lista prej autoriteteve, raporton Al Jazeera.

Disa nga aktivistët tjerë të cilët u arrestuan në 2018 ishin: Eman al-Nafjan, Loujain al-Hathloul, Aziza al-Yousef, Aisha al-Manea, Ibrahim Modeiimigh dhe Mohammed al-Rabea.

Autoritetet arabe arrestuan aktivistët nën arsyetimin se këta të fundit kishin kontakte të dyshimta me subjekte të huaja dhe ofronin mbështetje financiare për armiqtë jashtë shtetit.