Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Lirohet gruaja salvadoriane që ishte burgosur për abort

QIKA 10.6.2021

Mbrojtësit e të drejtave të grave kanë mirëpritur lirimin e një gruaje nga burgu në El Salvador. Ajo u dënua me burgim të gjatë për arsyen se dyshohej që kishte kryer një abort. Ky rast ka tërhequr vëmendjen e ndërkombëtarëve ndaj ndalimit të rreptë të abortit të kombit të Amerikës së Jugut.

28 vjeçarja Sara Rogel u arrestua në tetor të vitit 2012 pasi shkoi në një spital sepse kishte lëndime dhe gjakosje të shkaktuara nga një përplasje përderisa kryente punët në shtëpi. Asokohe Rogel ishte 22 vjeçare. Ajo u procedua penalisht dhe u dënua me 30 vjet burg për vrasjen e vajzës së saj të palindur. Dënimi i saj më vonë u zvogëlua në 10 vjet.

“Ajo u privua nga liria për gati nëntë vjet, në një dënim që ne besonim se ishte dhënë padrejtësisht”, tha avokati i saj. Rogel ishte një nga dhjetëra gratë salvadoriane që u burgosën për krime të lidhura me abortin. Ligji i vitit 1998 për abort ndaloi abortin në të gjitha rrethanat, përfshirë edhe në rrethanat e përdhunimit ose kur jeta e nënës është në rrezik.

Grupet e të drejtave të grave kanë thënë që shumica e këtyre grave të burgosura vijnë nga zona të varfra, rurale.  Avila-Guillen, drejtoresha ekzekutive e Qendrës së Barazisë së Grave e mirëpriti lajmin e lirimit të Rogel, por tha se lufta do të vazhdonte. “Asaj iu deshtë të vuante jo vetëm me humbjen e shtatzënisë, por edhe me humbjen e lirisë së saj. Ne nuk do të ndalemi së luftuari derisa të gjitha gratë të jenë të lira”, ka shkruar ajo.