Parlamenti i Malit të Zi ka amenduar Ligjin për Sigurimin Shëndetësor, duke u garantuar grave të diagnostikuara me dismenorre sekondare të drejtën për deri në dy ditë pushim menstual të paguar në muaj.
E drejta për pushim menstrual nuk aplikohet për të gjitha gratë që menstruojnë, por vetëm për rastet kur dhimbjet menstruale lidhen me patologji të diagnostikuara mjekësore, si endometrioza, miomat, polipet endometriale, inflamacionet e vezoreve, vezoret policistike dhe gjendje të tjera që mund të shkaktojnë dhimbje të forta, gjakderdhje të shtuar, infertilitet ose simptoma të tjera shoqëruese. Diagnoza duhet të vendoset nga një mjek specialist.
Megjithatë, këto ndryshime përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt njohjes institucionale të ndikimit që menstruacionet kanë në përditshmërinë e grave.
Sipas ndryshimeve ligjore, pushimi menstrual do të trajtohet si një formë e veçantë e paaftësisë së përkohshme për punë dhe do të kompensohet në të njëjtën mënyrë si pushimi mjekësor. Gratë që përfitojnë nga kjo e drejtë do të duhet ta rinovojnë dokumentacionin mjekësor çdo vit dhe ta dorëzojnë atë te punëdhënësi brenda afateve të përcaktuara me ligj.
Nisma u propozua nga deputetja e pavarur Jevrosima Pejović, e cila e dorëzoi projektligjin në në prag të 8 Marsit. Projektligji mori mbështetje unanime në Komisionin për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, si dhe në Komisionin për Legjislacion, përpara se të miratohej në Parlament.
Sipas arsyetimit që shoqëron ndryshimet ligjore, qëllimi i tyre është të adresojnë në mënyrë të përshtatshme gjendjen e dismenorresë sekondare, të zvogëlojnë paragjykimet me të cilat përballen gratë në vendin e punës dhe të krijojnë një ekuilibër më të drejtë ndërmjet shëndetit të grave dhe përgjegjësive profesionale, raporton Vijesti.
Pas miratimit të ligjit, Pejović deklaroi se kjo përfaqëson një hap të rëndësishëm për Malin e Zi dhe rezultat i muajve të tërë konsultimesh me profesionistë shëndetësorë, organizata dhe gra që jetojnë me këto diagnoza. Ajo theksoi se qëllimi i nismës nuk është privilegjimi i grave, por njohja e një nevoje reale shëndetësore që për shumë vite ka mbetur e padukshme në politikat publike.
Me këtë vendim, Mali i Zi i bashkohet vendeve që kanë ndërmarrë hapa për të njohur ndikimin e dhimbjeve menstruale në jetën profesionale të grave, duke i trajtuar menstruacionet si aspekt të shëndetit publik dhe të drejtave të punëtoreve.