Me thirrjen për drejtësi, liri dhe dinjitet, dhjetëra gra, vajza dhe aktiviste feministe marshuan në Prishtinë për të shënuar 8 Marsin, Ditën Ndërkombëtare të Grave Punëtore. Marshimi, i organizuar nga kolektivi Marshojmë S’festojmë, u mbajt në qendër të qytetit dhe mblodhi aktiviste e aktivistë, qytetarë dhe organizata që kërkuan fundin e dhunës patriarkale dhe pabarazive strukturore në shoqëri.
Protesta u mbajt në një moment kur çështjet e dhunës ndaj grave dhe të drejtave të tyre vazhdojnë të jenë në qendër të debatit publik në Kosovë. Kolektivi thekson se dënimi me burgim të përjetshëm i Dardan Krivaqës, vrasësit të Marigona Osmanit, erdhi pas një presioni të gjatë publik dhe mobilizimi feminist, duke theksuar se lufta kundër femicidit dhe dhunës gjinore mbetet ende larg përfundimit.
Në thirrjen për marshim u theksua se dhuna ndaj grave shfaqet në forma të shumta, nga dhuna në familje dhe ngacmimet seksuale në hapësirat publike, te shpërndarja e fotografive intime pa pëlqim në internet dhe vendime institucionale që kontrollojnë trupat e vajzave dhe grave. Aktivistet ngritën gjithashtu shqetësime për raste të pandëshkuara të abuzimit seksual dhe për mungesën e përgjegjësisë institucionale.
Përveç kërkesave lokale, marshimi artikuloi edhe solidaritet ndërkombëtar me popujt që përballen me shtypje dhe luftëra. Kolektivi theksuan se liria e grave nuk mund të kuptohet e ndarë nga luftërat më të gjera kundër racizmit, kapitalizmit, imperializmit dhe formave të tjera të shtypjes.
“Në këtë 8 Mars marshuam për liri dhe dinjitet për çdo vajzë e grua në Kosovë dhe kudo tjetër”, thuhet në deklaratën e tyre ne rrjete sociale, ku u theksua se liria e grave mbetet e paplotë pa lirinë e të gjithëve.
Marshi i këtij viti u zhvillua nën moton e revoltës dhe solidaritetit feminist, duke rikujtuar se 8 Marsi nuk është vetëm ditë simbolike, por një moment mobilizimi për të kërkuar transformim shoqëror dhe politik.