Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Mbretëria e Bashkuar përmirëson qasjen në IVF duke ndryshuar dispozitat e ligjit

QIKA 26.10.2023

Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar ka filluar ndryshimet e ligjeve të vjetruara të IVF që u mohojnë qasje personave me HIV dhe detyrojnë lezbiket të paguajnë më shumë për analizat që kërkohen. Aktivistët thonë se këto ndryshime do të transformojnë për të mirë jetën e shumë personave në Mbretërinë e Bashkuar.

Qindra çifte që kalojnë nëpër probleme me fertilitetin do të kenë shanset më të mira për tu bërë prindër, njoftoi qeveria të mërkurën, teksa përshkroi dy ndryshime ligji për dispozitën e IVF në vend. Sipas ligjit të ri, çifteve lezbike nuk do t’u kërkohet më të paguajnë për depistim para IVF-së, ndërsa çifteve me HIV nuk do t’u ndalohet më të kenë fëmijë përmes IVF.

Departamenti i Shëndetësisë dhe Kujdesit Social tha se çiftet e të njëjtit seks me HIV të pazbuluar, ku ngarkesa virale është shumë e ulët për t’u transmetuar, do të jenë në gjendje të kenë qasje në trajtimin e fertilitetit, raporton The Guardian.

“Miliona çifte ëndërrojnë të jenë prindër. Por për shumë njerëz, ajo ëndërr kthehet në dhimbje të paimagjinueshme ndërsa përjetojnë probleme të fertilitetit”, tha Maria Caulfield, ministre e shëndetësisë. Ndryshimet duhet t’i ndihmojnë sa më shumë njerëz që të jetë e mundur”, shtoi ajo.

Përveç qasjes në trajtimin e fertilitetit, çiftet me HIV pozitiv do të jenë gjithashtu në gjendje të dhurojnë spermë ose vezë për miqtë ose të afërmit. Deborah Gold, shefe ekzekutive e National Aids Trust, tha se iniciativa e tyre mbështetet në shkencë. “Ky ndryshim do të transformojë jetën e disa njerëzve që jetojnë me HIV, të cilëve deri në këtë pikë u është ndaluar mundësia për t’u bërë prindër përmes trajtimeve të fertilitetit”, deklaroi ajo.

Debbie Laycock, drejtuese e politikave në Terrence Higgins Trust, tha se vendimi për t’i dhënë fund ligjeve diskriminuese rreth IVF për njerëzit që jetojnë me HIV do të përmirësonte familjet, të ardhmen dhe jetën e njerëzve.

Aktualisht, çiftet lezbike kontrollohen për hepatitin B, hepatitin C ose rubeolën, me analiza që kushtojnë deri në 1000 funta. Testet të cila nuk iu kërkohen çifteve heteroseksuale.