Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Mbyllet përfundimisht grupi “AlbKings”

QIKA 30.5.2024

Në një konferencë për media, sot Prokuroria Themelore e Prishtinës ka njoftuar se është mbyllur përfundimisht grupi “AlbKings” dhe se për veprën penale të vjedhjes së identitetit dhe kredencialeve deri tani janë arrestuar shtatë persona, përfshirë themeluesin e grupit dhe bashkëadministratorët.

“Ka gjasa që të zgjerohen hetimet sa i përket personave që do të ndiqen penalisht. Sot i kemi gjithsej shtatë persona që i kemi në ndalim dhe jemi në fazën tjetër të zgjerimit të hetimeve edhe për personat tjerë”, tha kryeprokurori Zejnullah Gashi.

Prokurorja e rastit, Elza Bajrami-Kastrati, pasi dha një pasqyrim të këtij rasti dhe ndalimit të personave në fjalë, bëri me dije se që nga mbyllja e parë grupi është rihapur edhe dy herë të tjera, por tashmë ky grup është mbyllur përfundimisht. Në fund, ajo i ftoi të gjithë personat e dëmtuar nga ky grupi të lajmërohen në Prokurori ose Policinë e Kosovës me qëllim të ndjekjes së të gjithë personave të inkriminuar në këtë rast.

Kujtojmë se AlbKings ishte një grup në rrjetin Telegram, me mbi 100 mijë anëtarë ku kishin për qëllim denigrimin, shpërndarjen e fotografive intime dhe të dhënat personale si numri i telefonit, vendbanimi, llogaritë nëpër rrjetet sociale të vajzave dhe grave pa pëlqimin e tyre.