Shefi i Zyrës së Qeverisë për Media në Rripin e Gazës, Salama Maarouf, ka bërë të ditur se 12,316 gra janë vrarë si pasojë e luftës së Izraelit në Gaza. Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, ai theksoi se gratë palestineze po përballen me një situatë katastrofike humanitare, të privuara nga ndihmat bazë dhe të ekspozuara ndaj urisë dhe mungesës së ujit të pijshëm.
“Lufta vazhdon të rëndojë mbi gratë në Gaza, të cilat jo vetëm që përballen me rrethimin izraelit dhe ndalimin e ndihmave, por jetojnë në kushte çnjerëzore, duke vuajtur urinë dhe etjen,” deklaroi Maarouf.
Sipas të dhënave të qeverisë, pasojat e luftës mbi gratë dhe vajzat janë shkatërruese:
– 2,000 gra dhe vajza kanë mbetur me aftësi të kufizuara të përhershme si pasojë e amputimeve.
– 162 gra janë prekur nga sëmundje infektive, si pasojë e mungesës së shërbimeve shëndetësore dhe kushteve të rënda të jetesës.
– 13,901 grave u kanë vdekur bashkëshortët, ndërsa të paktën 17,000 nëna kanë humbur fëmijët e tyre.
Më shumë se 50,000 gra shtatzëna kanë humbur foshnjat e tyre të palindura për shkak të stresit ekstrem, mungesës së kujdesit shëndetësor dhe kushteve të tmerrshme humanitare.
Ndërkohë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, që nga 7 tetori 2023, numri i përgjithshëm i të vrarëve palestinezë ka arritur në 48,453, ndërsa 111,860 të tjerë janë plagosur nga sulmet izraelite.
Lufta në Gaza vazhdon të shkatërrojë jetët e mijëra grave dhe familjeve palestineze, ndërsa bllokada izraelite që pengon ndihmat humanitare po e bën situatën edhe më alarmante.