Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Më shumë se gjysma e grave të Indisë nuk dalin jashtë shtëpisë brenda ditës

QIKA 24.4.2023

Nëntëmbëdhjetë vjeçarja Manisha punon si mirëmbajtëse me kohë të plotë në një shtëpi në periferi të kryeqytetit indian, Delhi. Ajo e la shkollën pasi transporti publik ishte i parregullt dhe ngacmimi seksual në rrugë ishte i zakonshëm. Ajo udhëtoi për në kryeqytetin indian dhe gjeti një punë në një apartament. Por ende ajo nuk guxon të dalë shpesh, për shkak të vështirësive në udhëtim dhe mungesës së sigurisë.

Historia e Manishës është e njohur për Rahul Goel, një asistent profesor i hulumtimit të transportit në Institutin Indian të Teknologjisë në Delhi (IIT). Ai ka përdorur të dhëna nga Anketa e parë e Përdorimit të Kohës në Indi, e cila mat sasinë e kohës që njerëzit shpenzojnë duke bërë aktivitete të ndryshme, për të mësuar më shumë se si pabarazia gjinore ndikon në lëvizshmërinë e përditshme. Në veçanti, Z. Goel shikoi një grup të dhënash prej 170,000 njerëzve që jetonin në qytete dhe qyteza, të cilët ishin pjesë e anketës.

Gjetjet e hulumtimit ishin befasuese. Kur anketuesit vizituan familjet, më shumë se gjysma (53%) e grave thanë se nuk kishin dalë jashtë shtëpisë një ditë më parë. Ndërsa vetëm 14% e burrave deklaruan se kishin qëndruar vetëm në shtëpi.

Hulumtimi zbuloi kontraste të dukshme në rolet gjinore. Gratë kryenin kryesisht punë të papaguara në shtëpi, ndërsa burrat kalonin kohë në aktivitete jashtë shtëpisë. Gratë e moshës 25-44 vjeç, shpenzojnë mesatarisht tetë orë e gjysmë çdo ditë në punë shtëpiake ose përkujdesjeje. Në anën tjetër burrat e të njëjtës grupmoshë shpenzojnë më pak se një orë në këto aktivitete.