Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Mijëra njerëz demonstrojnë për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave në Spanjë

QIKA 26.11.2021

Duke brohoritur për barazi gjinore dhe duke mbajtur pankarta ngjyrë vjollce, anembanë Spanjës mijëra njerëz dolën në rrugë të enjten në mbrëmje në marshime për të shënuar Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave.

Këto marshime u mbajtën në rrugët kryesore të qyteteve si  Madridi, Barcelona, Valencia dhe qytete të tjera. Slogani i këtij viti ishte “Mjaft”, ndërsa qindra njerëz marshuan në qendër të Madridit me pankarta që bënin thirrje për t’i dhënë fund dhunës me bazë gjinore, raporton Reuters.

Zyra rajonale e qeverisë qendrore tha se rreth 1200 njerëz morën pjesë në një nga protestat kryesore në qendër të Madridit.  “Jam e lodhur nga hendeku i pagave, nga dhuna ndaj grave, nga gjithçka, gjithë dallimet midis burrave dhe grave, të gjitha problemet që ekzistojnë në ditët e sotme, mund të ndjehen në këtë shoqëri ku nuk kemi të njëjtat të drejta”, tha studentja Carolina Sanchez, 21 vjeç, gjatë marshit në Madrid.

Të enjten, përfaqësues nga të gjitha partitë kryesore politike të Spanjës, përveç Vox-it të ekstremit të djathtë, rivendosen në fuqi një marrëveshje për të garantuar financimin e programeve për të luftuar dhunën ndaj grave dhe për të ndihmuar viktimat. “Dhuna ndaj grave është çështje shtetërore, lufta për lirinë e të gjitha grave është çështje shtetërore”, tha ministrja e Barazisë, Irene Montero, pak pas ceremonisë së nënshkrimit.

Të drejtat e grave janë vënë në plan të parë politik në Spanjë. Aty poashtu kohëve të fundit janë shtrënguar ligjet për dhunën seksuale, ashtu që të gjitha marrëdhëniet seksuale jokonsensuale përcaktohen si përdhunim. Javën e kaluar qeveria zgjeroi përkufizimin e saj të krimeve të dhunës gjinore, të cilat i ka monitoruar që nga viti 2003. Tani do përfshihen vrasjet e të gjitha grave nga burrat, pavarësisht nga marrëdhënia e vrasësit me viktimën.

Kryeministri Pedro Sanchez mbrojti përmirësimet e fundit legjislative, por theksoi se ka mbetur shumë punë për t’u bërë. “Ajo që duhet të bëjmë është ta bëjmë të dukshme këtë dramë që fatkeqësisht shumë gra e vuajnë çdo ditë”, tha ai.