Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Mospërfshirja e grave afgane në bisedimet e OKB-së me talibanët ngjall zemërim

QIKA 3.7.2024

Më 30 qershor, zyrtarët talibanë morën pjesë në një konferencë dyditore të drejtuar nga Kombet e Bashkuara në Doha. Ky është takimi i parë që përfaqësuesit talibanë kanë rënë dakord të marrin pjesë, pasi organizatorët thanë se gratë afgane nuk do të përfshihen.

Roza Otunbayeva, e dërguara speciale e OKB-së për Afganistanin, mbrojti vendimin për të mbajtur gratë dhe anëtarët e shoqërisë civile jashtë këtyre bisedimeve. “Talibanët nuk janë si ne. Ata kanë ardhur nga malet dhe nga lufta, dhe t’i kthesh ata në njerëz që ulen në tryezën e negociatave dhe pranojnë parimet tona nuk është e lehtë”, tha ajo.

Grupet e të drejtave të njeriut dhe ekspertët që monitorojnë regjimin islamik, i cili dëboi gratë dhe vajzat nga hapësirat publike dhe ua hoqi të drejtën për të studiuar dhe punuar, iu bënë thirrje OKB-së që të sigurojë detyrimisht praninë e grave afgane në bisedime, raporton The Independent.

“Asnjë grua e vetme nuk do të jetë e pranishme gjatë këtyre bisedimeve. Pa dyshim, përjashtimi i grave dhe vajzave afgane është çështja më urgjente me të cilën përballet vendi. Të injorosh këtë minon sistemin e OKB-së,” tha Sara Wahedi, një sipërmarrëse afgano-kanadeze.

Konferenca dyditore ka për qëllim diskutimin për të ardhmen e Afganistanit të shkatërruar nga lufta, krizën ekonomike, varësinë nga droga që ndikon në miliona njerëz dhe stabilitetin në rajon, mirëpo përjashton bisedimet për shkeljet e të drejtave të grave.

“5 milionë njerëz janë të varur nga narkotikët në Afganistan dhe më shumë se 30 përqind janë gra, dhe rrjedhimisht është e rëndësishme që gratë të jenë në këto bisedime”, shtoi Roza Otunbayeva.

Delegacioni taliban bëri paraqitjen e tyre të parë në bisedimet në Doha, i cili është dialogu i tretë i tillë i sponsorizuar nga OKB-ja mbi krizën afgane. Në seancën e mëparshme, talibanët refuzuan ftesën duke përmendur praninë e anëtarëve të shoqërisë civile.

Zyrtarët e OKB-së mbrojtën vendimin e tyre për të përjashtuar gratë afgane në bisedimet e kësaj jave, duke këmbëngulur se çështja e të drejtave të grave do të ngrihet në diskutime me talibanët. Ata gjithashtu thanë se do të takohen me përfaqësues të shoqërisë civile afgane para dhe pas bisedimeve me zyrtarët talibanë, raporton The New York Times.

“Çështja e qeverisjes gjithëpërfshirëse, të drejtat e grave, të drejtat e njeriut do të jenë pjesë e çdo sesioni”, tha Rosemary DiCarlo, shefja politike e OKB-së që po kryeson takimin.