Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Naser Pajazitaj dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e Donjeta Pajazitajt

QIKA 23.6.2022

Në rigjykimin për vrasjen e Donjeta Pajtaziatj, Naser Pajazitaj dënohet me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore e Ferizajt.

Naser Pajazitaj akuzohej se më 9 nëntor të vitit 2015, në bjeshkët e Strellcit, Komuna Deçan, me dashje dhe me revole të tipit të panjohur, në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta viktimën Donjeta Pajazitaj nga po i njëjti fshat.

Sipas aktakuzës, Pajazitaj ka kryer veprën penale në një ditë kur viktima ka qenë duke shkuar në punë në këmbë së bashku me axhën e saj dhe kur kanë arritur tek bunari i fshatit janë ndarë, ashtu që viktima ka vazhduar rrugën në drejtim të Strellcit të Epërm dhe kur afrohet përafërsisht 150 metra afër shtëpisë së Nedi Jusaj, aty pari kalon i pandehuri Naser Pajazitaj me veturën e tij i cili ndalet e merr viktimën dhe më pas vazhdon në drejtim të bjeshkëve të Strellcit dhe kur arrin tek “Kroni i Lajthisë” fillimisht e privon nga jeta me armë duke shtënë dy herë në kokë, e më pas për të humbur gjurmë të njëjtën e mbulon me disa drunj dhe largohet nga vendi i ngjarjes. Viktima u gjet një muaj më vonë pa shenja jete, më 27 dhjetor nga disa kalimtarë të rastit, raporton Betimi për Drejtësi.

Ky rast kishte marrë epilog dy herë në Gjykatën Themelore në Pejë, ku pas gjykimit të parë Pajazitaj ishte shpallur i pafajshëm, kurse pas gjykimit të dytë, ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Por, në të dy rastet, aktgjykimet ishin anuluar nga Gjykata e Apelit, përkatësisht Gjykata Supreme dhe lënda ishte kthyer në rigjykim.

Pas kthimit të rastit në rigjykim, Gjykata Themelore në Pejë ishte përjashtuar nga ky rast dhe lënda ishte deleguar në Gjykatën Themelore në Ferizaj, me arsyetimin për të mënjanuar dyshimet ndaj sistemit të drejtësisë. Ky vendim ishte marrë nga Gjykata e Apelit.

Gjykata Themelore në Ferizaj, më 27 maj 2021, e kishte dënuar Pajazitajn me burgim të përjetshëm për vrasje të rëndë. Më pas, Gjykata e Apelit e ka kthyer çështjen në rigjykim.

Akgjykimi i fundit ndaj Pajazitajt, i cili u dënua me burgim të përjetshëm, u shpall me 23 qershor 2022, nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Ibrahim Idrizi.