Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Ndalimi i abortit deri në javën e 15 u bllokua përgjithmonë nga vendimi i gjykatës në Arizonë

QIKA 7.3.2025

Në një vendim historik më 5 mars 2025, Gjykata e Lartë e Qarkut Maricopa bllokoi përgjithmonë ndalimin 15-javor të abortit në Arizona. Vendimi vjen pas miratimit të Propozimit 139 në nëntor 2024, i cili amendamentoi kushtetutën e shtetit për të mbrojtur të drejtat e abortit deri në afërsisht 24 javë të shtatzënisë.

 “Për dy vjet, kam parë nga afër sesi ndalimi i abortit i shtetit tonë ka dëmtuar jetët e pacienteve të mia dhe ka ndryshuar të ardhme të panumërueshme, vetëm sepse politikanët mendonin se pikëpamjet e tyre për kujdesin e duhur shëndetësor ishin më të rëndësishme se sa gratë shtatzëna dhe ofruesit e kujdesit mjekësor,” tha në një deklaratë Dr Eric M Reuss, një nga ofruesit e kujdesit shëndetësor që ngriti padinë për ndalimin e abortit pas javës së 15-të në Arizona.

Kufizimi ekzistues ishte pezulluar që nga dhjetori, kur Reuss dhe ofruesit e tjerë ngritën padinë e tyre, e cila argumentoi se masa e votimit, e cila shton mbrojtjen kushtetuese për abortin deri në rreth 24 javë, nënkuptonte se ndalimi ishte tani jo kushtetues. Prokurori i Përgjithshëm i Arizonës, demokrati Kris Mayes, kishte rënë dakord që ndalimi të mos zbatohet gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor, raporton The Guaridan.

Kujtojmë se Arizona gjatë gjithë vitit 2024 ka qenë në qendër të diskutimeve të abortit në ShBA, pasi një gjykatë supreme shtetërore vendosi të lejonte një ndalim pothuajse total të abortit.

Arizona më pas u bë një nga shtatë shtetet që miratuan masat e votimit për të drejtat e abortit në zgjedhjet e vitit 2024. Megjithatë, këto masa nuk rivendosën ose rritën menjëherë qasjen ndaj abortit – përkundrazi, aktivistëve u është dashur të avokojnë për procese gjyqësore apo ndërrime të legjislacionit për të përmbushur premtimet e fletëvotimeve.

Në një deklaratë të mërkurën, Nancy Northup, presidente e Qendrës për të Drejtat Riprodhuese, u zotua të vazhdojë përpjekjet për të rrëzuar pengesat e tjera për qasjen e abortit në Arizona.