Një numër gjithnjë e më i madh i vendeve të Afrikës Perëndimore po zbatojnë dhe po ashpërsojnë ligjet kundër personave LGBTQ+, mes presioneve politike të brendshme dhe sulmeve globale ndaj të drejtave të komunitetit LGBTQ+.
Senegali dyfishoi dënimin maksimal me burg për marrëdhëniet seksuale mes personave të së njëjtës gjini, duke e çuar në 10 vjet, dhe kriminalizoi gjithashtu “promovimin” e homoseksualitetit. Nigeria kriminalizoi “marrëdhëniet seksuale me një person të së njëjtës gjini”, duke shënuar herën e parë që intimiteti mes personave të së njëjtës gjini u shpall i paligjshëm në vend. Kurse Gana, e cila tashmë i ndalon marrëdhëniet seksuale mes personave të së njëjtës gjini, miratoi një ligj që kriminalizon “aktivitetet” LGBTQ+, raporton the Guardian.
Policitë atje po përdorin metoda të ndryshme për të manipuluar persona LGBTQ+ përmes rrjeteve sociale dhe më pas u kërkon atyre të denoncojnë anëtarë të tjerë të komunitetit, tha një punonjës që ndihmon personat e prekur nga virusi HIV, i cili u largua nga vendi në maj pasi emri i tij u zbulua nga një person i arrestuar.
Konferenca Ndërparlamentare Afrikane për Vlerat Familjare dhe Sovranitetin, një forum që sipas shumë njerëzve ka ndikuar në hartimin e ligjeve kundër komunitetit LGBTQ+ në kontinent, do të mbahet vitin e ardhshëm në Burkina Faso dhe më pas në Eswatini.
Tri konferencat e para u mbajtën në Ugandë, në Afrikën Lindore, duke filluar nga viti 2023. Po atë vit, Uganda vendosi dënimin me vdekje për disa forma të marrëdhënieve seksuale mes personave të së njëjtës gjini.
Këto takime vjetore mbështeten nga Family Watch International (FWI), një organizatë e krishterë me seli në Arizona që kundërshton abortin dhe edukimin gjithëpërfshirës seksual. Në konferencën e këtij viti, të organizuar nga parlamenti i Ganës në qershor, u hartua projekt-traktati i Kartës Afrikane për Sovranitetin dhe Vlerat Familjare. Dokumenti dënon abortin dhe edukimin gjithëpërfshirës seksual, përcakton se gjinia është vetëm mashkull ose femër dhe pohon se të drejtat e prindërve kanë përparësi ndaj të drejtave të fëmijëve.
Projektligji kundër komunitetit LGBTQ+ i miratuar nga parlamenti i Ganës është “mjet politik shumë efektiv”, i mbështetur nga organizata të fuqishme fetare në vend, tha Amanda Odoi, studiuese në Universitetin e Cape Coast.
Sipas Ebenezer Peegah, drejtor ekzekutiv i Rightify Ghana, një organizate joqeveritare që mbështet personat LGBTQ+, zgjedhja e Ganës si vend mikpritës i konferencës parlamentare afrikane të këtij viti ishte një vendim i qëllimshëm për shkak të ndikimit që vendi ka në kontinent.