Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Në Indi miratohet projektligji që siguron dyfishimin e numrit të grave ligjvënësve

QIKA 26.9.2023

Dhoma e ulët e parlamentit të Indisë ka miratuar një projektligj që do të dyfishonte numrin e ligjvënësve gra, pas disa përpjekjeve të dështuara për të miratuar masën që u propozua dekada më parë.

Projektligji në fjalë do të rezervonte një të tretën e ulëseve në dhomën e ulët dhe asambletë shtetërore të Indisë për gratë. Rikthimi i diskutimit mbi të erdhi disa muaj para zgjedhjeve qendrore që priten të mbahen në maj 2024, përmes të cilave kryeministri Narendra Modi po kërkon një mandat të tretë.

Analistët thonë se shanset që projektligji të kalojë në parlament janë rritur pasi kundërshtimi ndaj tij është zvogëluar gjatë viteve. 454 deputetë votuan pro projektligjit të mërkurën, me vetëm dy deputetë kundër.

Projektligji propozon një amendament kushtetues për të garantuar një kuotë të një të tretës së rezervuar për gratë, duke kërkuar një shumicë prej dy të tretash në të dy dhomat e parlamentit për të pasur sukses.

“Propozimi është miratuar me më shumë se dy të tretat e shumicës së anëtarëve të pranishëm në dhomë”, tha Om Birla, kryesuesi i parlamentit.

Gjashtë përpjekjet e mëparshme për të miratuar projektligjin kishin ngecur që nga koha kur u prezantua për herë të parë në 1996, raporton Al-Jazeera.

Mulayam Singh Yadav, në atë kohë kryeministër i Uttar Pradesh, shteti më i populluar i Indisë, sugjeroi në vitin 2010 që projektligji të mos miratohej.