Më 5 shkurt filmi “Në kërkim të Venerës” i Norika Sefës u dha premierë në “International Film Festival Rotterdam 2021”. Rrugëtimi i këtij filmi në festival u përmbyll me çmimin special të jurisë së festivalit duke shënuar kështu suksesin e radhës të kinematografisë kosovare.
Personazhi kryesor i filmit është Venera, një adoleshente e cila jeton në një fshat të Kosovës e rrethuar nga një ambient tradicional. Në shtëpinë e saj jetojnë tri gjenerata të ndryshme e si rrjedhojë ajo ka pak hapësirë për privatësi. Këto rrethana sociale dhe pritshmëritë që shoqëria kishte për të, ndikojnë në zgjedhjet e Venerës edhe në ato pak raste kur ajo kishte mundësi të vendoste për veten.
Aktorët e filmit janë: Kosovare Krasniqi, Rozafa Çelaj, Erjona Kakeli, Basri Lushtaku, Bleon Monolli, Fatushe Nushi, Ajan Zharku, Ermal Bilalli, Tristan Halilaj, Shend Miftari, Anisa Ismajli, Sheqerie Buqaj etj. Pjesa tjetër e ekipës përbëhet nga Luis Armando Arteaga – drejtor i fotografisë, Stefan Stabenow – në montazhë, Arben Shala – skenograf, Risto Alchinov – zërim, Desantila Lika – kostumografi, dhe grim – Lidona Berisha.
“Në kërkim të Venerës” me producent Besnik Krapin është bashkëprodhim në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut i prodhuar nga Circle Pruduction dhe me bashkëproducent Igor Popovskin dhe Gazmend Nelën. Filmi gjithashtu është mbështetur edhe nga Komuna e Kaçanikut dhe Komuna e Prishtinës.