Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Në Prishtinë u protestua në mbështetje të punëtoreve greviste të kuvendit

QIKA 23.9.2024

Të premten, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist mbajti protestë solidarizuese me punëtoret e kuvendit të cilat kanë hyrë në grevë qe një javë rresht tani.

Dhjetëra aktivistë u mblodhën jashtë Kuvendit të Kosovës me mbishkrime që përçonin mesazhe revoltuese ndaj situatës në të cilën gjenden punëtoret teknike: “Deputetët rrogën 2000 euro, punëtoret teknike 275”, “Çka bon njeri me 275 euro n ‘Kosovë”, “Punëtorët teknikë të kalojnë në sektorin publik ndal PPP-të”, “Punëtoret teknike e mbajnë Kuvendin”, “Punëtoret nuk janë mall”, ishin disa nga sloganet.

Në protestë u lexua gjithashtu edhe një fjalim në të cilin thuhej se Kolektivi i mbështët kërkesat e grevisteve për trajtim dhe pagë të dinjitetshme.

“I ri-përsërisim këtu kërkesat e grevisteve e që janë: Rroga mujore 550 euro, pagesë të rregullt të kontributeve, kushte pune të dinjitetshme e që nënkuptojnë ndalim të menjëhershëm të dhunës psikologjike, presionit dhe degradimit që iu bëhet. Ne i mbështesim këto kërkesa dhe përpjekjen e tyre për kushte më të mira. Ne jemi këtu dhe do të vazhdojmë me ardhë këtu kurdo që kërkohet, për të lypë drejtësi për punëtoret e kushte të dinjitetshme pune”, deklaron Fjolla Mucaj nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.