Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Në Spanjë, heqja e kondomit pa pëlqimin e partnerit/es konfirmohet si akt kriminal

QIKA 13.6.2024

Gjykata e lartë e Spanjës, ka vendosur se mosvendosja e prezervativit ose heqja e tij pa pëlqimin e partnerit konsiderohet krim, njësoj si penetrimi pa pëlqim. Edhe pse dënimi ende nuk është specifikuar, përdhunimi ndëshkohet nga kodi penal me një dënim me burgim nga 6 deri në 12 vjet.

‘Stealthing’ ndodh kur një partner fshehurazi heq prezervativin gjatë seksit pa pëlqimin e personit tjetër, ose bën sikur e vendos, akt i cili mund të çojë në infeksione seksualisht të transmetueshme (IST) si HIV/AIDS, shtatzëni të padëshiruara dhe dëme psikologjike. Në vitin 2023, Spanja regjistroi një rritje të krimeve seksuale të raportuara, me 19,981 krime kundër lirisë seksuale dhe 4,875 përdhunime të regjistruara vitin e kaluar, mesatarisht një çdo dy orë, raporton Les Glorieuses.

Gjykata e lartë e Spanjës filloi të shqyrtonte këtë çështje pas një rasti të ‘stealthing’ nga Gjykata Provinciale e Sevilles. Në vitin 2017, një grua në Sevilla, u infektua me klamidia nga një partner që e kishte mashtruar duke hequr kondomin në mënyrë të fshehtë pasi ajo i kishte thënë specifikisht që të përdorte kondom, raporton the Spanish Vida.

Ai fillimisht u dënua me katër vjet burg për abuzim seksual dhe gjashtë muaj të tjerë për ‘shkaktimin e lëndimeve’ duke transmetuar infeksionin seksualisht të transmetueshëm (STI).

Në Mbretërinë e Bashkuar, ‘stealthing’ konsiderohet përdhunim sipas ligjit anglez. Kjo do të thotë se kushdo që e bën këtë mund të ndiqet penalisht për veprën penale të përdhunimit, e cila ka një dënim maksimal me burgim të përjetshëm.