Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Nënshkruhet kontrata për mbikëqyrjen elektronike të personave që u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës

QIKA 26.7.2024

Në një postim në rrjetin social Facebook, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka njoftuar se është nënshkruar kontratë me një operator ekonomik nga Ministria e Punëve të Brendshme për sigurimin e mbikëqyrjes elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës.

Haxhiu shprehë se ky veprim do të ofrojë siguri për qytetarët “Mbikëqyrja tani do të jetë më e lehtë e qytetarët më të sigurtë. Hallkat elektronike do të jenë siguri më e madhe për vajzat dhe gratë viktima të dhunës, dhunuesit do të monitorohen e rrjedhimisht nuk do të kenë mundësi t’u ofrohen atyre.”

Ligji për “Mbikëqyrjen elektronike të personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës” u miratua nga kuvendi me 1 korrik të vitit 2015.

Ndër të tjera, ligji thotë se qëllimi tij është që të rrisë sigurinë publike përgjatë proceseve penale dhe për të garantuar ekzekutim efektiv të vendimeve të gjykatës.

Ligji zbatohet ndaj personave ndaj të cilëve me vendim të gjykatës u janë vendosur masat për sigurimin e pranisë së të pandehurit dhe urdhrat mbrojtës ose mbrojtje emergjente.

Mbikëqyrjen e pajisjeve elektronike e bën Policia e Kosovës e cila është përgjegjëse për vendosjen, heqjen, funksionimin e rregullt të pajisjes dhe kontrollimin e realizimit të tyre.

Sipas këtij ligji, salla operative e Policisë së Kosovës janë përgjegjës që në kohe reale të monitoroj personat përmes hartave. Informacioni për vendndodhjen e personit shfaqet në hartë vetëm në rast se personi del nga zona e lejuar ose hyn në zonën e ndaluar të lëvizjes, sipas përcaktimit të vendimit gjyqësor që urdhëron përdorimin e Mbikëqyrjes Elektronike; personi dyshohet se ka shkelur kushtet e vendosura në vendimin gjyqësor; duhet të evitohet rreziku i mundshëm që i kanoset personit ose personave të tjerë; personi mund të ketë dëmtuar ose hequr pajisjen; pajisja ka pësuar dëmtim aksidental dhe nuk transmeton informacionin përkatës.