Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

New Ground – shtëpia që bashkon gratë

QIKA 25.8.2023

Chipping Barnet, lokacioni në veri të Londrës, nuk është një vend që bie në mendje kur mendojmë për utopitë feministe. Megjithatë, pikërisht aty, pranë shkollës së teatrit Susi Earnshaw, gjendet komuniteti i parë në Britani ekskluzivisht për gratë mbi 50 vjeç. Ky komunitet, i quajtur New Ground, menaxhohet tërësisht nga gratë që e krijuan atë si një alternativë ndaj jetesës vetëm.

Hyrja e New Ground, e mbuluar nga xhami dhe tipografia, mund të ngatërrohet lehtësisht me ndonjë hapësirë ​​kreative. Çdo hapësirë aty është e ndriçuar dhe e ajrosur. Muret janë të veshura me rafte librash dhe poashtu ka një hapësirë që shërben si lloj i kinemasë.

“Ne, banoret e New Ground, variojmë nga mosha 58 deri në 94 vjeç. Shumë prej nesh ende punojmë, disa janë vullnetare aktive në komunitet. Dikush mund të hyjë këtu dhe të mendojë se ne jemi të gjitha të një moshe, por kjo nuk qëndron dhe ne nuk përkufizohemi si thjesht ‘të  moshuara’”, thotë banorja Jude Tisdall, 71 vjeçare që punon si konsulente arti. Ashtu si shumica e banoreve, ajo ka jetuar në New Ground që kur u objekti u ndërtua në 2016-tën.

Në New Ground ka 25 banesa me 26 banore (duke përfshirë një çift). Shtëpitë kanë pamje nga një kopsht i lulëzuar me lule të egra, manaferra dhe pemishte. Salla e përbashkët e takimeve përdoret për darka javore, netë filmash dhe klasa për joga. “Të gjithë pyesin se a lejohen burrat të na vizitojnë në komunitet. Sigurisht! Ne kemi vëllezër, baballarë, djem, nipër, e partnerë. Munden të na vizitojnë por jo të jetojnë këtu”, shpjegon Tisdall.

Në New Ground, gratë menaxhojnë gjithçka vetë dhe detyrat ndahen midis ekipeve të vullnetareve përgjegjëse për mirëmbajtjen, kopshtarinë, komunikimin, pastrimin dhe çështjet ligjore.

Mellis Haward, drejtoresha e Archio Architects, ka udhëhequr shumë projekte të ngjashme për bashkëjetesën në komunitete. “Për kaq shumë kohë ne të gjithë kemi qenë skllevër të tregut të banesave dhe është tejet e vështirë të krijosh komunitete kohezive. Njerëzve që u pëlqen bashkëjetesa zakonisht i pëlqen të kenë një afërsi me fqinjët e tyre. Nuk ka të bëjë vetëm me zbutjen e vetmisë – kjo i lejon njerëzit të bëhen pjesë e një ekosistemi”, tregon ajo.